Që nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, Prishtina ka ndërmarrë disa aksione në përpjekje për të vënë nën kontroll të plotë veriun e vendit.
Disa nga këto përpjekje kanë përfunduar me vrasje.
Iniciativa e fundit e Qeverisë së Kosovës, për ta zbatuar një reciprocitet për targat e Serbisë, ka bërë që qindra serbë lokalë të bllokojnë rrugët që shpijnë në vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinjë.
Your browser doesn’t support HTML5
Ashtu sikur edhe Beogradi, shumë serbë në këtë pjesë nuk njohin pavarësinë e Kosovës dhe kundërshtojnë çdo përpjekje të Prishtinës për ta zbatuar Kushtetutën e Kosovës në këtë pjesë.
Këto janë ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar përpjekjet e Prishtinës për kontroll të plotë të pjesës veriore:
2008: Djegia e pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak
Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.
Dy ditë më vonë (më 19 shkurt), serbët lokalë të veriut, i vunë flakët objekteve të vendosura në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.
Në Jarinjë ishte djegur punkti policor, ndërsa në Bërnjak ishte shkatërruar me eksploziv, duke rrezikuar policët dhe doganierët e Kosovës.
2008:Nga protestat e serbëve, mbeti i vdekur një polic ukrainas
Një muaj nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, një polic nga Ukraina që shërbente në misionin e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, mbeti i vdekur.
Ai vdiq si pasojë e plagëve të marra gjatë përleshjes së zhvilluar në mes të forcave ndërkombëtare dhe protestuesve serbë në veri të Mitrovicës.
Gjatë kësaj përplasjeje në mes të forcave ndërkombëtare dhe protestuesve serbë, ishin lënduar 45 pjesëtarë të KFOR-it, 37 policë të UNMIK-ut dhe rreth 70 qytetarë serbë.
2011: Vrasja e policit Enver Zymberi
Tre vjet më vonë, në veri të vendit u vra edhe një polic. Këtë herë, pjesëtar i njësive elite të Policisë së Kosovës.
Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova priti tre vjet për ndërmarr një aksion në tentim për të kontrolluar pjesën më problematike të vendit, veriun.
Në korrik të vitit 2011, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi autorizoi njësitet elite të Policisë së Kosovës që të marrë nën kontroll pikat kufitare.
Duke kundërshtuar këtë aksion të Policisë së Kosovës, protestuesit serbë bllokuan rrugën.
Në një nga sulmet e armatosura ishte qëlluar për vdekje polici, Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë.
Pikave kufitare iu vu flaka sërish.
2012: Tentimi për largimin e barrikadave serbe
Në fillim të qershorit në vitin 2012, KFOR-i mori disa aksione për largimin e barrikadave në disa lokacione në veri të vendit të banuar kryesisht me serbë.
Serbët u përleshën me ushtarët e KFOR-it.
Nga kjo përleshje mbetën të lënduar tre qytetarë serbë dhe një ushtar i KFOR-it.
2013: Vrasja e doganierit të EULEX-it
Më 19 shtator të vitit 2013, në një fshat të rajonit të Zveçanit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ishte shtënë me armë zjarri mbi dy makina të EULEX-it, me të cilat po udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë.
Nga plagët e marra në këtë sulm u vra doganieri nga Lituania, Audrius Shenaviçius, 35-vjeçar.
Ai shërbente në misionin evropian për sundim të ligjit, EULEX që nga viti 2012.
2016: Rrëzimi i murit që forcoi ndarjen
Që nga përfundimi i luftës, ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ka qenë pasqyra kryesore e ndarjes së qytetit. Në veri jetonin kryesisht serbë kurse shqiptarët në jug.
Në fund të vitit 2016, në kohën kur bëheshin disa punime për rivitalizimin e urës, autoritetet komunale në veri ndërtuan një mur.
Disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 2017, autoritetet në Prishtinë urdhëruan rrënimin e murit.
2017: Treni ilegal
Fillimi i vitit 2017 ishte shumë aktiv në veri të vendit. Një muaj para se të rrëzohej muri afër Ibrit, Serbia tentoi ta fuste në Kosovë një tren të ngjyrosur me flamurin serb.
Në të shkruante në shumë gjuhë botërore “Kosova është Serbi”.
Mes tensioneve të shumta politike mes Prishtinës dhe Beogradit, institucionet e Kosovës dërguan në Mitrovicë të Veriut, forca të shumta policore për të ndaluar trenin.
Kjo është hera e vetme kur pushteti në Prishtinë arriti që të ndalonte operimin e trenave ilegalë serbë brenda territorit të Mitrovicës së Veriut.
2018: Arrestimi i Marko Gjuriqit
Më 26 mars të vitit 2018, u arrestua në Mitrovicën e Veriut, atëkohë shef i Zyrës për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Forcat Speciale të Policisë së Kosovës ndërhyn në momentin kur Gjuriq dhe zyrtarët tjerë serbë, që kishin hyrë pa leje, po mbanin një tubim dhe po diskutonin për çështjen e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë arrestimit, policia përdori gaz lotsjellës.
Pas arrestimi, Gjuriq ishte dërguar në stacionin qendër të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Pas qëndrimit rreth njëorësh, ai u dëbua për në Serbi. Arrestimi i Gjuriqit nxiti tensione mes Prishtinës e Beogradit.
2019: Pranga për punëtorin rus të UNMIK-ut
Gjatë një aksioni të gjerë në fund të muajit maj të vitit 2019, që u zhvillua në jug dhe veri të Mitrovicës për luftimin e krimit dhe kontrabandës, Policia e Kosovës kishte arrestuar pjesëtarin e UNMIK-ut, rusin Mihail Krashnoshçenkov.
Ai ishte arrestuar në Zubin Potok nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, pasi duke e përdorur makinën e tij zyrtare të OKB-së, kishte tentuar të pengonte Policinë e Kosovës për të kryer detyrat e saj.
Policia e Kosovës ka pasur për detyrë t’i arrestojë disa serbë lokalë të dyshuar për përfshirjen në rrjetin e kontrabandës që u ekspozua pas një hetimi njëvjeçar.
2021: Aksioni për reciprocitet
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, u dërguan në veri përsëri. Më 20 shtator 2021, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat e Serbisë, policët u stacionuan në pikat kufitare me Serbinë.
Ata po monitorojnë zbatimin e vendimit të qeverisë, që detyron shoferët serbë që të heqin targat e Serbisë kur hyjnë në Kosovë dhe të marrin targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.
Njëjtë veprojnë edhe qytetarët e Kosovës sa herë që shkojnë në Serbi. Kundër vendimit të qeverisë janë qytetarët serbë të veriut.
Ata të mbështetur nga politikanët serbë lokalë, por edhe nga Beogradi, kanë bllokuar rrugët që shpijnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që të tërhiqet ky vendim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të tërhiqet nëse një gjë të tillë e bën edhe Serbia.