Spanja njeh pasaportat e Kosovës

Flamuri spanjoll i vendosur në ndërtesën e Parlamentit spanjoll në Madrid. Fotografi nga arkivi.

Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.

Në dokumentin e publikuar thuhet se "nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova".

"Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur", thuhet në dokument.

Që nga 1 janari, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Më herët gjatë 6 janarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Spanja i shtohet listës së shteteve që kosovarët mund të vizitojnë pa pasur nevojë të pajisen me vizë.

“Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar Madridin zyrtar, në gjuhën spanjolle, për këtë vendim.

Vendimi për liberalizimin e vizave në zonën Schengen hyri në fuqi më 1 janar dhe nga 27 shtete, ku kosovarët mund të udhëtonin pa viza, përjashtim bënte vetëm Spanja. Sipas Gërvallës, në bazë të njoftimit nga shtetet anëtare të BE-së - që ka të bëjë me dokumentet e udhëtimit - deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës i është shtuar listës që njohin pasaportat e zakonshme të Kosovës.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

SHIKONI EDHE: Hiqen vizat për udhëtime në zonën Schengen

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.