Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bilsimi, është deklaruar para mediave në pikën kufitare në Merdare ku ka thënë se ndërprerja e vizitës së tij në Beograd nga autoritetet serbe, ka dëshmuar se shteti i Serbisë nuk është i gatshëm të punojë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Bislimi tha se rreth 85 kilometra para se të arrinte në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, policia serbe e kanë njoftuar se vizita duhej të ndërpritej për shkak se delegacionit të Kosovës nuk mund t’i ofrohej siguri.
“Na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo se siguria ka qenë e cenuar që për neve është një sinjal që Serbia ende nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit. Është pak absurde që një konferencë për sigurinë, Serbia publikisht e pranoi se ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë dhe e pranon se është e dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri më tej tha se në Beograd ka pasur për qëllim që të ofrojë versionin e Kosovës si për zhvillimet aktuale por edhe për procesin e dialogut.
“Ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje të iu ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës. Ju e dini që qytetarët në Serbi i janë ekspozuar një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë”, deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi.
Bislimi ka thënë se pavarësisht pamundësimit të vizitës së tij, ai do të merr pjesë përmes platformave në internet në Forumin e Sigurisë në Beograd.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëvendëskryeministri Bislimi ishte nisur drejt Beogradit më 27 tetor për të marrë pjesë në dy tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi.
Bislimi, që njëherësh është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, ishte paraparë të merrte pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike, që mbahet më 27 tetor.
Ai, po ashtu, pritej që të premten të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Bislimi ishte nisur drejt Beogradit në ditën e njëjtë kur Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
SHIKONI EDHE:
Paralajmërohen barrikada në veri, Kosova thotë se po zbaton ligjin sa u përket targaveBE: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targatNga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se këto targa do të mbeten edhe pas 31 tetorit, duke paralajmëruar për "rezistencë" të serbëve. Kosova ka thënë se pas kësaj date, makinat me targat e lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit e as të kalojnë kufirin.
Ndryshe, Bislimi kishte vizituar më herët Serbinë. Në shtator, Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që ta përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.