Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi të mërkurën se nuk ia ka pranuar kërkesën kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të udhëtuar në Kosovë, ku sipas Zyrës së tij, ai do të merrte pjesë në festën e Vidovdanit, e cila shënohet më 28 qershor.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Jashtme tha se Petkoviqit iu ndalua udhëtimi në Kosovë “për shkak të shkeljeve të marrëveshjes për vizitat e dyanshme, deklaratave propagandistike dhe për shkak të gjuhës së tij provokuese ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Në një njoftim më herët të mërkurën, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se “Petkoviqit është duke iu ndaluar udhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”.
SHIKONI EDHE: MPJD konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në KosovëSipas saj, vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.
Ndërkohë kohë, në fillim të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili planifikoi të udhëtonte në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.
Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.
Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që autoritetet kosovare nuk ia pranojnë kërkesën Petkoviqit për të udhëtuar në Kosovë, pasi më 3 maj nuk u lejua të udhëtonte në Kosovë për Pashkët Ortodokse, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan - rreth 10 kilometra larg Prishtinës.
Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.
Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Vitin e kaluar, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.
Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë - Lista Serbe - thuhej se komuniteti serb në Kosovë ishte “i ekspozuar ndaj dhunës”.
Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestani, pasi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosën ta mbajnë atë në Manastirin e Graçanicës për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.
Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.
Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar.