Që nga viti 2009 doktor Mazllum Belegu, nëpërmjet organizatës “Gift of Life”, ka bërë të mundur që fëmijët me probleme në zemër, të operohen falas kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani më shumë se 90 fëmijë kanë përfituar nga kjo organizatë. Derisa Ministria e Shëndetësisë paguan shpenzimet e udhëtimit për këta fëmijë, organizata në fjalë mbulon shpenzimet e operacioneve. E gjithë kjo po bëhet në pamundësi për t’u trajtuar këta fëmijë në Kosovë, për shkak të mungesës së Kardiokirurgjisë për fëmijë. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Mazllum Belegu jep edhe hollësi të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Belegu, Kosova vazhdon të mos ketë kushte të punës, e as burime njerëzore për t’i operuar fëmijët e lindur me probleme në zemër. Çka konkretisht bëni ju për t’i ndihmuar këta fëmijë?
Mazllum Belegu: Meqenëse Klinika e kardiokirurgjisë ka staf vetëm për të rriturit, e jo për rastet pediatrike, jemi të detyruar që rastet t’i dërgojmë jashtë vendit. Në vitin 2009 është përmendur kjo punë në klubin Rotarian në Pejë, dhe një vajzë kosovare me shtetësi amerikane, na ka propozuar që të fillojmë këtë punë, dhe më pas kemi nisur përmes doktor Gani Abazit, i cili ka shkuar në Universitetin e Harvardit, ka bërë marrëveshje. Fillimisht kemi dërguar dy fëmijë falas t’i operojnë në Amerikë, përmes organziatës’’Gift of Life international’’.
Ne e dimë që nuk jemi zgjidhje e problemit, por jemi një urë e gjendjes së tanishme, pasi që ne do të duhej të kemi një Klinikë pediatrike për fëmijët me probleme në zemër. Aktiviteti ynë do të duhej të ishte urë për problemet që nuk do të mund të kryheshin këtu, që t’i dërgojmë jashtë vendit, e jo të gjitha rastet. Prandaj, ne do të vazhdojmë derisa të jemi të nevojshëm, por fëmijët do të duhej të jenë të mbrojtur në Kosovë, e të mos u kanoset rreziku për jetë.
Radio Evropa e Lirë: Sa fëmijë gjatë vitit marrin shërbime falas dhe sa prej tyre mbesin pa trajtim në pamundësi për t’i dërguar jashtë vendit për trajtim të gjithë ata që kanë nevojë?
Mazllum Belegu: Në vitin 2009 janë dërguar vetëm dy pacientë, më pas në vitin 2010, 2011 dhe 2012 i kemi dërguar nga tre pacientë. Më pas është organizuar misioni prej anës së tyre në vitin 2012, ku kanë ardhur në Kosovë dhe i kanë përzgjedhur fëmijët me probleme në zemër dhe i kanë dërguar 27 fëmijë. Ka qenë një numër impozant. Në vitet tjera ka pasur ndonjëherë më shumë ndonjëherë më pak, por mesatarja ka qenë rreth 20. Vitin e kaluar janë operuar 29 fëmijë. Të gjithë këta fëmijë kanë vuajtur nga vrima në zemër, problem me të cilin lindin.
Në Kosovë nga Amerika kanë ardhur një kardiolog, drejtori i organizatës “Gift of Life International” me seli në Neë York, ka ardhur një infermiere e specializuar për rastet me fëmijë, administratorja e organizatës, e cila i siguron mjetet për trajtimin e këtyre fëmijëve, pasi dikush do të duhej t’i siguronte mjetet, meqë as në spitalet e Amerikës nuk ka asgjë pa pagesë.
Radio Evropa e Lirë: Keni ndonjë bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe organet përgjegjëse këtu në Kosovë?
Mazllum Belegu: Ministria e Shëndetësisë i paguan shpenzimet e rrugës për fëmijën dhe njërin prind. Në fillim ka pasur pak probleme, por më pas është stabilizuar situata. Kjo ka ndodhur për shkak se kur kanë udhëtuar 29 fëmijë, ka qenë pak më problematike çështja e pagesës. Megjithatë ne kemi siguruar (mjete) edhe përmes donatorëve që asnjë fëmijë i përzgjedhur për operacion, të mos mbetet pa shkuar për shkak të shpenzimeve të rrugës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Belegu, thatë se gjatë vitit dërgoni mbi 20 fëmijë për t’u operuar jashtë Kosovës, por edhe sa prej tyre mbesin pa u trajtuar në pamundësi për t’i dërguar të gjithë ata që kanë nevojë?
Mazllum Belegu: Unë nuk e di, sepse unë nuk kam qasje në të dhëna të fëmijëve të sëmurë. Edhe besoj askush nuk e di. Edhe sot, po qe se dëshiroj të marr informata se sa fëmijë kanë nevojë, nuk kam qasje. Do të duhej që në Klinikën pediatrike të ishte një listë e gatshme me fëmijë që kanë probleme dhe kanë nevojë për operim. Kjo, sepse ne nuk jemi e vetmja organizatë humanitare që dërgon fëmijë për operim falas. Do të duhej të ishte lista në dispozicion për këto organizata, por fatkeqësisht nuk ka. Ka pasur raste kur kanë ardhur ekipe nga ndonjë vend i botës për t’i operuar 10 fëmijë, por në klinikë ia kanë dhënë vetëm një fëmijë. Ekipi mjekësor prej 17 anëtarësh nga lëmi mjekësore të ndryshme ka ardhur dhe ata nuk janë ndarë të kënaqur. Ata kanë deklaruar se nuk vijnë më gjithë ata njerëz, për ta operuar një fëmijë, por minimum dhjetë aq sa e kanë planifikuar t’i operojnë falas. Kjo ka ndodhur për arsye se nuk ka pasur listë në Klinikën pediatrike. Kanë thënë se disa prej fëmijëve kanë vdekur, disa janë operuar jashtë vendit e kështu me radhë.
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse nuk e dini sa fëmijë kanë nevojë për trajtim, sa është interesimi për të përfituar nga kjo mundësi, pra nga operimi i fëmijëve me probleme në zemër falas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Mazllum Belegu: Interesimi është shumë i madh. Vitin e kaluar pasi kanë ardhur ekipi nga Amerika, ka kërkuar që përmes numrit tim të paraqiten prindërit e fëmijëve me probleme në zemër. Numri i thirrjeve ka qenë i papërballueshëm. Kjo për shkak se fëmijët sa më herët bëhen operacion nga sëmundja e lindur në zemër, gjendja e tyre shëndetësore do të jetë më e mirë.