BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin e BQK-së

Kartëmonedha prej 100 dinarësh dhe kartëmonedha të valutës euro. Fotografi ilustruese.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe, siç thanë nga blloku, mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.

Kjo thirrje u bë edhe lidhur me rastin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme. Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro, vendim që nga Serbia është parë si ndalesë për pagesat me dinarë serbë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje.

SHIKONI EDHE:

BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euroLista Serbe: Vendimi i BQK-së për dinarin rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë... Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.

Ai përsëriti thirrjen për të dyja palët që edhe këtë çështje ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, rëndësia e veçantë e rregullores së BQK-së qëndron te përcaktimi i valutës që lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare në Kosovë, e që në këtë rast është euroja.

“Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai tha se rregullorja e BQK-së “nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel” dhe si e tillë “nuk ka se si të ketë ndikim në mbarëvajtjen” e procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Dy ditë më parë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative. Sipas emisarit evropian, informacionet që i ka marrë nga Kosova për këtë çështje, i ka përcjellë në Bruksel, duke shtuar se pret që BE-ja të dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, në një deklaratë për Radio Televizionin e Serbisë, tha se pret që të realizohet ajo çfarë ka deklaruar Lajçak, pra që të gjendet “një zgjidhje që nuk do të përfundojë me pasoja negative”.

Kundër vendimit të BQK-së është shprehur edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kjo parti, më 18 janar tha se ky vendim i “regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe që nuk arriti t'i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, u tha në reagimin e Listës Serbe.

SHIKONI EDHE: Çka pas heqjes së dinarit në Kosovë?


Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Në rregulloren e miratuar nga BQK-ja për operacionet për paratë e gatshme në të cilën u tha se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.