Bashkimi Evropian ka urdhëruar TikTok-un që të ngrijë të gjitha të dhënat, pas raportimeve se platforma e rrjeteve sociale, në pronësi kineze, ka qenë instrumentale në zbatimin e një fushate të orkestruar nga Moska për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Rumanisë.
Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) më 4 dhjetor ka deklasifikuar dokumente që thanë se shteti ishte cak i një “veprimi agresiv hibrid rus” që çoi në fitoren befasuese muajin e kaluar të kandidatit prorus të së djathtës ekstreme, Calin Georgescu, në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
CSAT tha se dokumentet treguan se Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ishte cak i disa veprimeve të koordinuara, që me gjasë u orkestruan nga një “aktor shtetëror” që çuan në fitoren e Georgescut në zgjedhjet e 24 nëntorit, i cili garoi si i pavarur.
Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – tha më 5 dhjetor se ka lëshuar “urdhër mbajtjeje” për TikTok-un në bazë të Aktit për shërbime digjitale, që të ruhen të dhënat “në lidhje me rreziqet aktuale apo të parashikueshme që shërbimi i tij mund të paraqesë ndaj proceseve zgjedhore dhe diskursin qytetar në BE”, tha KE-ja përmes një deklarate.
KE-ja shtoi se ky urdhër ishte i nevojshëm për të hetuar nëse TikTok-u po i përmbahet obligimeve që dalin nga Akti për shërbime digjitale.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja kërkon hetim për ndërhyrjen "dashakeqe" të Rusisë në zgjedhjet në RumaniSipas dokumenteve të publikuara, shërbimet e inteligjencës rumune besojnë se Georgescu u promovua në mënyrë masive në TikTok, me mbështetjen e Rusisë përmes metodave të ndryshme, përfshirë llogarive të koordinuara, algoritmeve që rritën praninë e tij në platformë dhe reklamave me pagesë.
Dokumentet po ashtu pretendojnë se shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës zgjedhore në 22 për qind, përmes një operacioni të madh të manipulimit që përfshinte influencues, duke futur në gracë institucionet rumune, por edhe votuesit e zakonshëm.
Zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën një javë më vonë, po ashtu rezultuan me rritjen e tri partive proruse të ekstremit të djathtë, që morën një të tretën e votave, edhe pse partitë proevropiane duket se kanë votat e mjaftueshme për të formuar një koalicion qeverisës.
Më 8 dhjetor, votuesit do të vendosin për fituesin e zgjedhjeve presidenciale dhe në rundin e balotazhit, Georgescu do të përballet me kandidaten proevropiane, Elena Lasconi.
Para rundit të balotazhit, Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për hetim të veprimeve të Moskës në zgjedhjet në Rumani.