Policia e Kosovës ka konfirmuar se të hënën është sulmuar një ekip i gazetarëve të televizionit Klan Kosova në fshatin Zupç të Zubin Potokut, duke lënduar dy nga pjesëtarët e ekipit dhe duke shkaktuar dëme materiale.
“Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, që më tutje thotë se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar këtë incident duke thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme.
“Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, e cila i dëshiroi shërim të shpejtë ekipit të gazetarëve.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në veri – deri më tani janë raportuar gjashtë incidente të tilla – për të cilat ka thënë se janë “kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”.
“AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Disa nga gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, kanë thënë më herët për REL-in se nuk kanë mbrojtje të duhur gjatë raportimit.
SHIKONI EDHE: Gazetarët në veri nën rrezik të vazhdueshëmBarrikadat në veri janë ngritur që nga 10 dhjetori nga disa serbë lokalë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet për organizimin e “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR.