Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dështuar të arrijnë konsensusin rreth vendimit për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e kanë lënë këtë temë për një periudhë pas mbledhjes së Këshillit Evropian që zhvillohet në fund të kësaj jave.
Ministrat e vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështeve të Përgjithshme kanë diskutuar gjatë tërë ditës, por pa një rezultat konkret.
Franca ka qënë shteti i cili deri në fund ka insistuar që të mois ketë fare vendim në këtë takim ndërsa në vend të konkluzave të miratuara nga shtetet anëtare, Presidenca finlandeze e BE-së ka dalur deklaratën se “duke pasur parasysh diskutimet në Këshill, Presidenca merr në dijeni se Këshilli do t'i kthehet kësaj çështjeje pas mbledhjes së Këshillit Evropian”.
Diplomatët e BE-së më pas kanë shpjeguar në mënyra të ndryshme se çfarë do të thotë ndërkohë që kanë pranuar se dallimet mes shteteve anëtare janë aq të thella saqë nuk besojnë në ndonjë vendim të shpejtë pozitiv.
SHIKONI EDHE: Tusk: Nuk ka BE të sigurt pa integrimin e Ballkanit PerëndimorTë njëjtat burime paralajmërojnë që kjo temë të jetë në rend dite në Samitin e BE-së dhe vendosjen në rend dite do ta bëjë kryetari i Këshillit Donald Tusk. Ai ka kompetenca për të caktuar rendin e ditës, por jo edhe për të shtyer vendimet. Në fund gjithçka do të varet nga qëndrimet e shteteve anëtare.
Gjatë diskutimeve të ministrave, së pari është bërëv përpjekje që të ketë vendime pozitive për të dyja shtetet, por kjo nuk ka qënë e mundur. Më vonë është punuar edhe në një verzion të ri të propozimeve sipas së cilit do të mund të merrej një vendim pozitiv vetëm për Maqedoninë e Veriut ndërsa të shtyhet për Shqipërinë. Por, edhe ky version nuk ka marë pëlqimin e të gjitha shteteve.
Ndonëse ekzistonte një shumicë e madhe e vendeve anëtare që kërkonin vendimin për nisjen e negociatave me të dyja këto shtete kandidate, Franca ka dalur në krye të atyre që insistonin se nuk duhet të vendoset në këtë moment dhe kërkojnë rishikim të gjithë procesit të zgjerimit.
Në anën tjetër janë edhe disa vende si Holanda, Danimarka dhe Spanja të cilat, sipas burimeve diplomatike, ishin të gatshme për një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut, por jo edhe për Shqipërinë. Komisioni Evropian sikur edhe disa shtete të BE-së mendojnë se do të ishte gabim sikur të ndahen këto dy shtete.
Përderisa vendet si Holanda dhe Danimarka duan të shohin më shumë progres në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në sundimin e ligjit, Franca do që të vendoset një metodologji e re në procesin e zgjerimit, duke e bërë këtë proces më shumë gradual dhe të kthyeshëm, që do të thotë se kur të mbyllen kapitujt e caktuar negociatorë ato mund të hapen nëse shteti kandidat nuk vazhdon progresin.
Franca do që Komisioni Evropian të dalë në pranverë me një propozim konkret për këtë e pastaj, diku në verë, të mund të merret vendimi për nisjen e negociatave.
SHIKONI EDHE: Katër vende të BE-së mbështesin hapjen e negociatave me Shkupin dhe TiranënNga Komisioni Evropian përgjigjen se metodologjia mund të ndryshohet kurdo, por kjo nuk do të duhej të mbante peng vendimet për nisjen e negociatave.
Presidenca finlandeze e BE-së kishte dalur me një propozim kompromisi sipas të cilit vendimi për nisjen e negociatave do të merrej tash ndërsa negociatat do të nisnin diku vitin që vjen pasi të përmbushen edhe disa kushte.
Por, edhe një propozim i tillë për një vendim gjysmak dhe të kushtëzuar ka gjasa të bllokohet nga Franca. Në procesin e zgjerimit vendimet në Bashkimin Evropian miratohen me konsensus dhe përderisa të ketë vende që nuk pajtohen, vendimi nuk mund të merret.
Samiti i BE-së në fund të javës ka një agjendë të ngjeshur dhe disa shtete nuk janë të lumtura që në të diskutohet edhe për zgjerimin. Por, presidenti i Këshillit Evropian Tusk është i mendimit se zgjerimi ka rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit dhe më gjërë.