Gjermanët do t’iu drejtohen kutive të votimit të dielën, në procesin zgjedhor që mezi është pritur nga Brukseli, pasi shumë zyrtarë shpresojnë që Berlini do të kthehet shpejt në rolin e tij kyç në politikën e Bashkimit Evropian, teksa blloku evropian përballet me një sërë krizash.
Veçse në hall me shkallën e rritjes ekonomike dhe rritjen e konkurrencës, BE-ja është goditur nga kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për luftë tregtare, apo nga injorimi i liderëve evropianë në tentimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ndonjëherë frikësohemi nga udhëheqja gjermane. Mirëpo, është e vështirë të jetojmë pa të”, ka thënë një diplomat evropian për agjencinë e lajmeve AFP.
SHIKONI EDHE: Zgjedhje në Gjermani, partia e Scholzit kërkon të ndalë ekstremistët e djathtë në BradenburgPaqartësitë në Gjermani kanë qenë vetëm vazhdimësi e trazirave politike në Francë, ku presidenti Emmanuel Macron ka emëruar në dhjetor kryeministrin e katërt brenda një viti.
Makina franko-gjermane, që konsiderohet më meritorja për përparimin e BE-së, “nuk ka mundur të punojë” dhe të marrë “vendime të mëdha” në një periudhë “kur është më e domosdoshme sesa kurrë më parë”, ka thënë Yann Wernert, analist në Institutin Jacques Delors.
“Nuk jemi duke parë shumë përkushtim gjerman në legjislaturën aktuale të BE-së”, ka thënë një diplomat tjetër.
Vakumi duket se është mbushur nga të tjerët.
Kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është në krye të Presidencës së BE-së, i ka bërë thirrje Brukselit që të bëjë më shumë për t’u përballur me Rusinë, ndërsa kryeministrja italiane, Giorgia Meloni është marrë me çështje të migrimit.
SHIKONI EDHE: Polonia synon avancimin e procesit të zgjerimit gjatë kryesimit të BE-sëMegjithatë, analistët vlerësojnë se mungesa ka qenë e dukshme.
“A mundet të veprojë BE-ja pa Gjermaninë dhe Francën? Në ndonjë rast urgjence do të ishte e mundur, por është më mirë të veprojë me Francën dhe Gjermaninë”, ka thënë një diplomat tjetër.
Gjermania do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt, pas prishjes së koalicionit trepartiak të kancelarit, Olaf Scholz.
Aleanca konservatore CDU/CSU, me kandidatin Friedrich Merz Merz, është duke udhëhequr në sondazhe.