Bashkimi Evropian e ka miratuar pakon e 15-të të sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, që përfshin masa më të ashpra ndaj entiteteve kineze dhe anijeve nga e ashtuquajtura flotës “hije” të Moskës, tha Komisioni Evropian në një deklaratë të hënën.
Pakoja e re e sanksioneve shton 52 anije nga flota që përpiqet të shmangë kufizimet perëndimore për të transportuar naftë, armë dhe grurë. Kjo e çon numrin total të anijeve të listuara në 79.
BE-ja filloi të shtojë në listë këto anije më herët gjatë këtij viti si përgjigje ndaj një rritjeje të numrit të anijeve që transportojnë ngarkesa të cilat nuk sigurohen nga ofruesit e zakonshëm perëndimorë. Lista përfshinte edhe anijet që dorëzuan municione koreano-veriore në Rusi.
Kufizimet e reja shtojnë 84 individë dhe entitete të reja, përfshirë shtatë persona dhe entitete kineze, si dhe entitete ruse në Serbi.
“Një individ dhe dy entitete që lehtësojnë shmangien e sanksioneve të BE-së, dhe katër entitete që furnizojnë komponentë të ndjeshëm për dronë dhe komponentë mikroelektronikë për ushtrinë ruse”, thuhet në deklaratë, në pjesën ku iu referohet entiteteve kineze.
SHIKONI EDHE: BE-ja do t’i godasë firmat kineze me sanksione për mbështetjen e Rusisë në UkrainëKjo do të jetë hera e parë që entitete kineze përballen me sanksione të tilla për ndalimin e udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve.
“Hapi drejt sanksioneve të mirëfillta jep një sinjal të rëndësishëm për kinezët. Ne e marrim këtë shumë seriozisht”, tha një diplomat i BE-së.
Shefi i sanksioneve të BE-së, David O'Sullivan, dhe zyrtarë ukrainas kanë fajësuar Kinën për shitjen e teknologjisë së huaj në Rusi.
Diplomatët thanë se listimet e mëparshme kineze në pakon e sanksioneve ruse përfshinin vetëm kontrollin e eksporteve, në vend të një sanksioni të përgjithshëm.
Lista tani përfshin drejtues të lartë në sektorin energjetik të Rusisë, dy zyrtarë të lartë koreano-veriorë, si dhe 20 kompani dhe entitete ruse në Indi, Iran, Serbi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
SHIKONI EDHE: Ministri rus në Beograd: Moska e çmon politikën e balancuar të SerbisëKomisioni po përgatit një pako të 16-të sanksionesh për janar, e cila mund të përfshijë masa më të gjera si ndaj gazit natyror të lëngshëm rus dhe kufizime të eksporteve për filialet e kompanive të BE-së në vendet e treta, thanë burime për Reuters.