Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se do të propozojë përdorimin e fondeve të BE-së për financimin e armëve, karburantit dhe furnizimet mjekësore për Ukrainën.
Sipas Reuters-it, Komisioni Evropian synon të përdorë 450 milionë euro (507 milionë dollarë) të fondeve të BE-së për të financuar dërgesat e armëve në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se kjo është hera e parë që BE-ja po e financonë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve në një vend të sulmuar.
Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët në pronësi ruse, të regjistruar rus ose të kontrolluar nga Rusia, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet një postimi në Twitter.
Siç ka shkruar, avionët nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Kjo vlen, po ashtu, edhe për “avionët privatë të oligarkëve”.
BE-ja po ashtu do t’i ndalojë mediat ruse ne BE, siç janë Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre.
“Ato nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit”, thuhet në postimin e saj.
“Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”, ka shtuar ajo.
SHIKONI EDHE: KPM-ja kërkon ndalimin e transmetimit të televizioneve ruse në KosovëVon der Leyen, po ashtu, shtoi se BE-ja do të synojë edhe “agresorin tjetër në këtë luftë”, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, “duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm”.
SHIKONI EDHE: Çfarë është SWIFT - sistemi që do të përjashtojë Rusinë?Një ditë më herët, Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë, - për shkak të pushtimit të Ukrainës – vendosën t'i përjashtojnë disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT. Përjashtimi i bankave të Rusisë nga SWIFT-i kufizon qasjen e këtij vendi në tregjet financiare në botë.
Kompanitë dhe individët rusë do ta kenë më të vështirë të paguajnë për importet, të marrin pagesat për eksportet, të marrin hua ose të investojnë jashtë shtetit.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar ushtrinë që të vendosë forcat parandaluese të Rusisë – referencë për njësitet që përfshijnë krahun bërthamor – në gatishmëri të lartë, duke cituar ato që i ka konsideruar deklarata agresive të liderëve të NATO-s, dhe sanksionet ekonomike kundër Moskës, transmeton Reuters.
Njëkohësisht, zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, të dielën tha se zyrtarët ukrainas dhe ata rusë do të takohen për të biseduar në kufirin bjellorus me Ukrainën.
Këto bisedime, të parat prej kur Rusia ka nisur pushtimin ndaj Ukrainës më 24 shkurt, do të mbahen pa parakushte dhe janë rezultat i një bisede telefonike ndërmjet Zelenskyit dhe presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë zyra e presidentit ukrainas.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.