BE paralajmëron sanksione të ashpra ndaj Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Rusisë, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të nisur operacion ushtarak special në Ukrainë.

“Me këtë paketë, ne do të shënjestrojnë sektorë strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar qasjen e tyre në teknologji kyçe dhe tregje”, ka thënë ajo.

“Ne do të dobësojmë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetet për t’u modernizuar”.

Shefja e BE-së ka thënë se Bashkimi Evropian është me Ukrainën.

“Rusia duhet të tërheqë ushtrinë dhe të respektojë plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”.

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se blloku evropian do të godasë Rusinë me paketën më të ashpër të sanksioneve ndonjëherë.

“Bashkimi Evropian do të përgjigjet në mënyrat më të fuqishme ndonjëherë. Liderët e BE-së do të miratojnë paketë të fuqishme, më të ashprën të sanksioneve ndonjëherë”, ka thënë ai para gazetarëve në Bruksel.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni", ka thënë Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Lexoni edhe këtë: Ukraina: Rusia ka nisur pushtimin

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm "të paprovokuar dhe të pajustifikuar" ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota "do ta mbajë Rusinë përgjegjëse".

Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.

Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.