Liria e mediave dhe pavarësia e gjyqësorit janë duke u përballur me kërcënime në rritje në Hungari dhe Poloni, derisa korrupsioni mbetet sfidë e madhe për të dyja vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka thënë Komisioni Evropian, në raportin e ri për sundim të ligjit.
Bashkimi Evropian ka thënë vazhdimisht se standardet demokratike janë duke u sfiduar në Hungari dhe Poloni.
Komisioni Evropian ka përmendur edhe Slloveninë, e cila aktualisht udhëheq presidencën e bllokut me 27 anëtarë, për shkelje të lirive të mediave lokale, duke përmendur ngacmimet online dhe kërcënimet kundër gazetarëve sllovenë.
“Ka vend për shqetësim serioz në një numër të vendeve anëtare, sidomos kur është fjala për pavarësi të gjyqësorit”, ka thënë Vera Jourova, nën-presidente e Komisionit për Vlera dhe Transparencë.
SHIKONI EDHE: KE nis procedura kundër Hungarisë e Polonisë për diskriminim të LGBT-sëNë raport është thënë se Polonia nuk përmbush standardet në sistemin e drejtësisë, kornizën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka thënë javën e kaluar se një dhomë disiplinore e Gjykatës Supreme në Poloni nuk garanton paanshmëri dhe pavarësi dhe cenon pavarësinë e gjyqësorit.
Në raport është veçuar edhe Hungaria për mungesë të masave joadeukate për luftim të korrupsionit, derisa është paralajmëruar se liria e mediave dhe pluralizmi “janë në rrezik”.
Në Hungari, “rreziqet nga klientelizmi, favorizimet dhe nepotizmi në administratën publike, si dhe rreziqet që lidhen me biznese dhe figura politike, vazhdojnë të mos adresohen”, është thënë në përmbledhje të raportit.
Këto përfundime rrezikojnë të përballin Varshavën dhe Budapestin me pasoja serioze.
Një mekanizëm i krijuar vitin e kaluar, pas shqetësimeve në rritje për këto dy vende të Evropës Qendrore, lidh nivelin e sundimit të ligjit me fondet e BE-së, duke i mundësuar Brukselit të bllokojë paratë në rast të shkeljeve të rënda.