BE shpreh keqardhje për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”

Grupet e djathtistëve dhe tifozëve në Serbi duke protestuar kundër mbajtjes së festivalit "Mirëdita, dobar dan". Beograd, 27 qershor 2024.

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan”, që ishte paraparë të niste më 27 qershor në Beograd të Serbisë.

Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, teksa u përgjigj në një pyetje të parashtruar nga Radio Evropa e Lirë.

“Na vjen keq që edicioni i këtij viti, i financuar nga BE-ja, i 'Mirëdita, dobar dan' u ndalua në Beograd të enjten. BE-ja mbështet këtë festival përmes programit ‘Evropa kreative’. Festivali është një nismë për lëvdatë, që kontribuon në ndërtimin e urave përmes aktiviteteve kulturore mes njerëzve në Kosovë dhe Serbi përmes aktiviteteve kulturore”, tha Stano.

SHIKONI EDHE:

Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimitOrganizatorët e “Mirëdita, dobar dan”: Shteti në anën e huliganëve

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që festivali të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Paraprakisht, gjatë 27 qershorit grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit.

Organizatorët e festivalit – nga Kosova dhe Serbia – kanë kritikuar vendimin e autoriteteve serbe, duke thënë se me ndalimin e mbajtjes së festivalit, shteti u rreshtua me huliganët.

Ky festival që nga viti 2014 mbahet herë në Kosovë dhe herë në Serbi dhe qëllimi i tij është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Shkëmbime të tilla janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi të shqetësuar për politizimin e nismave kulturore të organizuara nga shoqëria civile, që duan të promovojnë shkëmbimin ndërkulturor mes njerëzve”, tha zëdhënësi Stano.

SHIKONI EDHE: Vuçeviq: Shpërfillja, përgjigja më e mirë për organizatorët e “Mirëdita, dobar dan”

Ai po ashtu tha se sipas standardeve të të drejtave të njeriut, autoritetet shtetërore e kanë për detyrë që të ofrojë kushte të sigurta për pjesëmarrësit.

“Nga Serbia si vend kandidat ne presim që t’i respektojë këto standarde”, tha Stano.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”.