Bashkimi Evropian ka përsëritur të enjten se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vetëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE-ja është serioze në përpjekjet e saj për t'i ulur tensionet.
Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikë së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, të enjten në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel.
Stano ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për t'i ulur tensionet.
Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qenë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës".
SHIKONI EDHE: Ekskluzive: BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës“Pra, fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE-ja është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodh“, ka thënë Stano.
I pyetur se a mban BE-ja përgjegjësi pse nuk i ka realizuar premtimet për të siguruar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, pasi Kosova kishte pranuar t’i shtynte ato dhe kishte pranuar Aneksin për zbatim të marrëveshjes në takimin e Ohrit, Stano përgjigj duke thënë se fokusi tash duhet të jetë shtensionimi dhe nuk po shihet se diçka e tillë po ndodh në terren.
Sa i përket Marrëveshjes dhe Aneksit të arritur në Ohër, për të cilin presidenti Vuçiq ka thënë se ai nuk do ta zbatojë në tërësi, Stano ka thënë se “përfaqësuesi i lartë Borrell ka bërë deklaratë pas takimit në Ohër, me të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe kjo nuk është tërhequr asnjëherë“.
Prandaj, sipas Stanos, zbatimi i Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit mbetet obligim.
“Ka një lidhje të qartë mes zbatimit të Aneksit dhe rrugëtimit evropian. Nëse deklaratat e palëve se a e pranojnë apo jo marrëveshjen do të pasohen me veprime, kjo do të reflektohet në procesin e integrimit të tyre në BE. Nëse nuk jemi në gjendje të dalim nga ky rreth i tensioneve, atëherë pasojat do të jenë për të dyja palët“, ka thënë ai.
SHIKONI EDHE: Ç’pasoja mund të kenë masat ndëshkuese të BE-së?Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare.
Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve, për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE-ja, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.
SHIKONI EDHE: Rama: Mbledhja e qeverive në formatin e paraparë nuk mund të mbahetBurimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehej në nivel normal sapo që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapat që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, e të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Para së gjithash, janë kërkesat për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.