BE: Kosova ka të drejtë t’i heqë targat “KM”

Në pikëkalimin kufitar të Merdares në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, shoferët vendosin stikera në targat e veturave të tyre. 22 prill 2022.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, tha se BE-ja ka qenë e njoftuar, por jo edhe e konsultuar nga autoritetet e Kosovës për planet për reciprocitet mbi targat e veturave që lëshojnë autoritetet e Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova ka të drejtë të marrë një vendim të tillë.

“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes - nga viti 2011 dhe 2016 - Kosova ka të drejtë t’i heqë nga përdorimi targat KM. Por, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të afërt me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha Stano.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë - në RKS (Republika e Kosovës).

Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), KM (Mitrovicë e Kosovës) GL (Gjilan), PZ (Prizren) e kështu me radhë.

Sipas vendimit, riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

Qeveria, po ashtu, ka miratuar udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

SHIKONI EDHE: Lajçak: “Situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Këto vendime kanë shkaktuar reagime të ashpra në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se zyrtarët kosovarë po përgatisin “persekutimin” e popullatës serbe, por nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë pretendim.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka qenë në Beograd në ditën kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendimet.

Ai ka vlerësuar se në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë është krijuar një “situatë e re”, e cila ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij.