BE-ja angazhohet për t'iu konkurruar investimeve kineze në Ballkan

Fotografi ilustruese.

Bashkimi Evropian (BE) planifikon të intensifikojë dialogun me vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të shpjegojë përfitimet që mund të kenë këto vende përmes financimit të projekteve të infrastrukturës nga ana e BE-së.

Bashkimi Evropian planifikon të u kërkojë autoriteteve të këtyre vendeve t’i kushtojnë vëmendje të veçantë përkushtimit të partnerëve që e ndihmojnë rajonin të përmbushë standardet e BE-së.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.

Ajo thotë se financimi i Bashkimit Evropian në infrastrukturë përfshin grante, të cilat janë të kombinuara me kredi me interes të leverdishëm.

"Kjo është në kontrast me financimin kinez, i cili vjen pothuajse ekskluzivisht në formën e kredive me mbështetje të konsiderueshme financiare. Prandaj, qeveritë duhet të jenë të kujdesshme që këto investime të mos e vendosin ekonominë e tyre në nivele të larta borxhi, gjë që mund të rezultojë në kontrollin e transferimeve të dhe burimeve strategjike në të ardhmen", paralajmëroi zëdhënësja Kocijançiq.

Ajo ritheksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se një pjesë e këtij procesi përfshin gjithashtu edhe nevojën e modernizimit të infrastrukturës në këto vende.

Dy punëtorë kinez bisedojnë pranë vendit ku po ndërtohet një urë në Peljasac të Kroacisë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian disa herë kanë thënë se investimet në rajon duhet të jenë transparente dhe në përputhje me standardet më të larta të prokurimit publik.

Prokurimi publik, qëndrueshmëria fiskale dhe investimet gjithashtu janë si detyrime që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian, prandaj Brukseli pret që këto detyrime të përmbushen nga ana e këtyre vendeve.

SHIKONI EDHE: Vendet e Ballkanit në faza të ndryshme të integrimit në BE

Zëdhënësja Kocijançiq, nga ana tjetër, kujton se BE-ja deri më tani është partnerja kryesore e rajonit për tregti dhe investime, me 70 për qind të tregtisë së Ballkanit Perëndimor dhe 60 për qind të investimeve të huaja direkte në rajon.

"Më pak se 6 për qind e tregtisë dhe investimeve të huaja të rajonit vijnë nga Kina", tha ajo.

Problemi i ndikimit financiar të Kinës në vendet e rajonit është adresuar gjithashtu në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, që u publikua në shkurt të vitit 2018.

Ky dokument paralajmëron se Kina ka rritur operacionet e saj dhe aktivitetet e investimeve në rajon, të cilat në parim mund të ofrojnë mundësi të reja.

"Megjithatë, këto investime shpesh neglizhojnë qëndrueshmërinë socio-ekonomike dhe financiare", thuhet në Strategjinë e Komisionit Evropian.

Çështja e investimeve kineze në rajon, është diskutuar edhe gjatë vizitave të zyrtarëve amerikanë në rajon. Më 4 shtator, gjatë një vizitë në Malin e Zi, senatori amerikan, Lindsey Graham, tha se SHBA-ja duhet të jetë më konkurruese në Malin e Zi.

“Kam biseduar për investimet kineze me presidentin e shtetit, kryetarin e parlamentit dhe ajo që kam ardhur në përfundim është se SHBA-ja duhet të jenë më konkurruese. Sepse Kina me të vërtetë ofroi një pako të mirë (ndërtimin e autostradave në Malin e Zi) dhe kushte të mira, andaj unë mendoj se vendet e Evropës duhet të përfshihen më shumë në zhvillimin e ekonomisë së Malit të Zi. Kjo vlen edhe për SHBA-në. Unë me të vërtetë shpresoj se vendet e BE-së dhe SHBA-së gjithashtu do të jenë në gjendje të integrohen me ekonominë tuaj. Në këtë situatë, unë me të vërtetë nuk mund ta fajësoj Kinën, por ne duhet të jemi konkurrues”, deklaroi senatori Graham.

Në prill të këtij viti, kryeministri i Kinës, Li Keqiang, u takua me udhëheqësit nga Evropa Qendrore dhe Lindore gjatë pjesëmarrjes në një konferencë në qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut.

Kryeministri i Kinës Li Keqiang dhe ai kroat Andrej Plenkoviq, gjatë samitit të mbajtur në Dubrovnik.

Aty u diskutua për investimet në infrastrukturë, kryesisht për projektin "Rruga e Mëndafshit", i cili vlerësohet deri në 1 trilion dollarë dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt Perëndimit.

Pekini përmes këtij projekti po synon të lidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Evropën, përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe parqeve industriale.

Pjesëmarrës në samitin e Dubrovnikut ishin 11 vende evropiane dhe 5 nga Ballkani: Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina.

Përgatiti: Kestrin Kumnova