Shtetet e Evropës Qendrore kërkojnë që Bosnjës t’i jepet statusi i kandidatit

Flamuri i Bosnjë e Hercegovinës dhe ai i BE-së. Fotografi ilustruese.

Pesë shtete të Evropës Qendrore, që të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian, i bën thirrje bllokut që t’i japë statusin e shtetit kandidat Bosnjë e Hercegovinës.

“Bëhet fjalë për një sinjal nga qeveritë tonë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në”, tha më 13 korrik në Budapest, ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ministrat e Jashtëm të grupit të quajtur C5 – Austria, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia – kërkuan që në samitin e radhës së BE-së, që do të mbahet në tetor, çështja e statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën të jetë në agjendë.

SHIKONI EDHE: Zhgënjimi i Ballkanit me BE-në

Në qershor, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bosnjë e Hercegovina, shtet që ende vuan nga efektet e luftës së viteve 1992-95, nuk u përfshi në marrjen e statusit gjatë samitit të qershorit.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë status të kandidatit.

Në fund të qershorit, liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit u ankuan për mungesën e përparimit në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në BE, para se blloku të merrte vendim për dhënien e statusit për Moldavinë dhe Ukrainën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte mirëpritur dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por kishte theksuar se këto dy shtete nuk duhet të kenë iluzione.

Ai kishte theksuar se Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit për vite me radhë kanë statusin e kandidatit. Maqedonia e Veriut e ka marrë statusin më 2005 dhe Shqipëria më 2014.

Rama dhe pesë liderët e tjetër të Ballkanit që po kërkojnë anëtarësimin në BE, u takuan me liderët e BE-së për katër orë para njoftimit për dhënien e statusit për Ukrainën dhe Moldavinë.