Në BE arrihet marrëveshje për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkan

Flamuri i BE-së. Fotografi nga arkivi.

Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësojnë 27 vendet anëtare të bllokut, kanë arritur marrëveshje të enjten për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, konfirmuan zyrtarët evropianë.

Negociatorët e Parlamentit Evropian, Tonino Picula dhe Karlo Resler, thanë se me këtë marrëveshje sigurohen 6 miliardë euro për reforma serioze ekonomike dhe strukturore, përmes së cilave vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim më të madh në procesin e integrimeve evropiane.

Nga 6 miliardë euro, 2 miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme.

Negociatat ndërmjet këtyre dy institucioneve të BE-së u zhvilluan nën një presion të madh kohor.

SHIKONI EDHE: BE-ja nën presion kohor për ta miratuar formalisht planin për rritje në Ballkan

Tani, për miratimin formal të këtij plani duhet të votojë edhe Parlamenti Evropian. Kjo pritet të ndodhë në seancën e fundit plenare para se të shpërbëhet Parlamenti Evropian në prag të zgjedhjeve të reja që zhvillohen në qershor.

Për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor, seancat e fundit plenare do të mbahen nga 21 deri më 24 prill.

Nëse plani dështon të votohet deri atëherë, ai do t’i mbetet në dorë përbërjes së re të Parlamentit Evropian, pra kah fundi i këtij viti.

Sipas marrëveshjes, vendet e rajonit për të përfituar nga kjo paketë e ndihmës financiare duhet t’i përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

SHIKONI EDHE: PE kërkon kushte shtesë për përdorimin e mjeteve nga plani i BE-së për Ballkanin

Në mesin e tyre janë kriteret bazike të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrja e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin, që u arritën më 2023 nën ndërmjetësimin e BE-së.

Ndërkohë, është tejkaluar mospajtimi rreth kushtëzimit apo jo të këtyre mjeteve me përshtatjen me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik.