Baza ruse në Krime para dhe pas shpërthimeve masive
Një pamje satelitore nga Planet Labs PLC shfaq avionë rusë të rreshtuar në Bazën Ajrore Saki, në Krimenë e okupuar nga Rusia, vetëm disa orë para shpërthimeve, më 9 gusht.
Avionët rusë para shpërthimeve. Fluturaket luftarake nga kjo bazë thuhet se ndërmarrin rregullisht sulme në territorin ukrainas.
Një foto tjetër e avionëve luftarakë në bazë, disa orë para shpërthimeve.
Pas një varg shpërthimesh, shtëllunga masive tymi u ngritën mbi bazë.
Zyrtarë të paidentifikuar ukrainas i kanë thënë mediave amerikane se forcat e tyre të armatosura kanë qenë përgjegjëse për shpërthimet, por nuk kanë dhënë detaje të tjera. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka mohuar se baza është sulmuar, duke fajësuar “një shkelje të rregullave për siguri nga zjarri” për shpërthimet.
Autoritetet ruse janë munduar të minimizojnë shpërthimet, duke thënë se nuk janë prekur hotelet dhe plazhet në gadishull, i cili është vendpushim i popullarizuar për shumë rusë.
Megjithatë, videot në rrjetet sociale i kanë shfaqur turistët duke ikur, teksa tymi ngrihej mbi vijën bregdetare. Shpërthimet thyen dritaret dhe shkaktuan dëme të tjera në disa ndërtesa banimi.
Një fotografi e bazës ajrore nga Planet Labs pas shpërthimeve, e cila shfaq rrënoja të shkrumbuara, më 10 gusht.
Marina ruse ka humbur të paktën nëntë avionë ushtarakë, përfshirë luftuesit SU-30SM dhe bombarduesit SU-24M, sipas një analize të pamjeve para dhe pas shpërthimeve, nga Skemat (Skhemy), një njësit hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Disa ndërtesa në bazë, ku mund të jenë ruajtur municione, janë shkatërruar po ashtu.
Pamjet satelitore të 10 gushtit shfaqin disa gropa të mëdha me madhësi të ngjashme, duke lënë të kuptohet se baza është goditur disa herë.
Departamenti i Shëndetësisë i kontrolluar nga rusët në Krime ka thënë se një civil është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur nga shpërthimet. Analistët ushtarakë e kanë quajtur shkatërrimin goditje të madhe për Rusinë, dhe fitore psikologjike për Ukrainën.