BE-ja miraton përdorimin e vaksinës kundër lisë së majmunëve

Fotografi ilustruese.

Komisioni Evropian ka miratuar përdorimin e vaksinës së lisë kundër lisë së majmunëve, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale, tha prodhuesi i ilaçeve nga Danimarka.

“Komisioni Evropian ka zgjatur autorizimin e vaksinës së kompanisë për linë, Imvanex, për ta përfshirë në mbrojtjen kundër lisë së majmunëve”, në linjë me rekomandimin e vëzhguesit shëndetësor të BE-së, tha kompania Bavarian Nordic.

“Miratimi vlen për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në Islandë, Litenshtajn dhe Norvegji”, tha kompania.

Të shtunën, më 23 shkurt, OBSH-ja e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale. Nga lia e majmunëve deri më tani janë prekur 16.000 persona në 72 shtete të botës.

SHIKONI EDHE: OBSH-ja shpall linë e majmunëve emergjencë globale

Në BE që prej vitit 2013 vaksina Imvanex ka marrë miratimin për përdorim kundër lisë.

Edhe më herët ishte shqyrtuar përdorimi i vaksinës kundër lisë për shkak të ngjashmërisë së virusëve që shkaktojnë linë dhe linë e majmunëve.

Lia e majmunëve është më pak e rrezikshme dhe më pak e infektuese sesa lia, e cila u zhduk më 1980.

Simptomat e lisë së majmunëve janë temperatura, kokëdhimbja, dhimbja e muskujve dhe shpinës. Simptomat zgjasin për pesë ditë.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse lia e majmunëve nuk është si COVID-19?

Po ashtu, personat e prekur kanë skuqje në fytyrë, duar dhe këmbë, si dhe puçrra.

Shpërthimi i ri me linë e majmunëve u raportua në fillim të majit në shtetet e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, ku kjo sëmundje për një kohë të gjatë ka qenë epidemi.