BE e sheh takimin e radhës për dinarin si rastin e fundit për zgjidhje

Një person duke paguar me dinarë serbë në një dyqan në Graçanicë më 29 janar 2024.

Bashkimi Evropian pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, të jetë rasti final për zgjidhje dhe atë në bazë të propozimit të bërë nga i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kështu tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai iu referua takimit të fundit në Bruksel më 25 prill mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, kur nuk u arrit pajtim për transferimin e mjeteve financiare nga Serbia në Kosovë, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm euroja të jetë valutë për kryerjen e pagesave.

“Pasi të dyja palët sqaruan qëndrimet e tyre, lehtësuesi i BE-së paraqiti një propozimi kompromisi për aranzhimet për një zgjidhje të përkohshme. BE-ja u bën thirrje të dyja palëve që të pranojnë këtë propozim dhe mbetet e gatshme të jetë mikpritëse e takimit final, nëse palët angazhohen në mënyrë konstruktive lidhur me propozimin e BE-së”, tha Stano për REL-in.

Takimi i radhës për këtë temë pritet të jetë pas dy javësh në Bruksel. Petkoviq, pas takimit të fundit, tha se rundi i radhës i bisedimeve mund të mbahet më 13 maj.

Pas takimit të 25 prillit, Bislimi tha se propozimi i ri i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.

Ai nuk tregoi detaje konkrete të propozimit, por tha se Kosova dhe Serbia duhet të japin mendimet e tyre për të në shtatë ditët e ardhshme.

“Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajuar se ai i kaluari dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve që ne kemi pasur në idetë e tij fillestare”, deklaroi Bislimi, duke shtuar se propozimi është një përpjekje e mirë për të gjetur zgjidhje dhe se brenda kyçe e Lajçakut është që të adresojë se si personat e prekur nga vendimi i BQK-së të mund të vazhdojnë të marrin ndihmë financiare nga Serbia.

SHIKONI EDHE: Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

Me rregulloren e re të BQK-së, euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

Ndërkaq, Stano gjatë një konference për media në Bruksel më 29 prill hodhi poshtë kritikat se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur sukses dhe se marrëveshjet nuk po zbatohen nga palët.

Ai përsëriti qëndrimin e BE-së se edhe pse Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi për zbatimin e saj – që palët arritën vitin e kaluar – nuk janë nënshkruar, marrëveshjet janë ligjërisht të obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.

SHIKONI EDHE: Pafuqia e Marrëveshjes së Ohrit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Asnjëra palë ende nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Kosova po ashtu kritikohet se nuk ka nisur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq Serbia kritikohet për hapat që po ndërmerr për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe procesin aktual të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Mes tjerash, marrëveshja e arritur vitin e kaluar thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Fakti se ata nuk kanë lëvizur drejt zbatimit dhe normalizimit të raporteve është dështim i tyre dhe jo dështim i BE-së”, u shpreh Stano dhe shtoi se normalizimi i raporteve është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe se ata do t’i ndiejnë pasojat sepse kjo do të pengonte integrimin e shteteve të tyre në BE.

“Në raste të panumërta kemi thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese. Dhe nuk ka dëshmi më të mirë për këtë sesa fakti që ato janë pjesë përbërëse e procesit integrues në BE si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”, tha Stano.

SHIKONI EDHE: BE-ja zyrtarisht kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën

Javën e kaluar, ministrat e BE-së kanë miratuar vendimin për ndryshimin e kornizës negociuese të Serbisë për integrimin në BE, duke përfshirë si kusht formal zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe Aneksit për zbatim të marrëveshjes.