Bashkimi Evropian ka thënë se do të rikthejë prezencë “minimale” në Afganistan, për qëllime humanitare, teksa kriza e madhe ekonomike ka përbllur miliona afganë me varfëri.
Megjithatë, blloku evropian ka thënë se ky veprim nuk nënkupton njohje të administratës së udhëhequr nga talibanët.
Ky vendim, i konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano më 21 janar, përbën njoftimin e parë të tillë nga fuqitë e Perëndimit, prej kur shumica e qeverive kanë tërhequr stafin e tyre nga Kabuli, pas rënies së Afganistanit nën talibanët, në gusht të vitit 2021.
Talibanët do të zhvillojnë bisedime me zyrtarë të Perëndimit në Olso javën e ardhshme për të diskutuar të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare.
Kjo njëherësh shënon vizitën e tyre të parë në Perëndim, prej kur talibanët janë kthyer në pushtet, kanë thënë Qeveria e Norvegjisë dhe ajo e talibanëve të premten.
SHIKONI EDHE: Talibanët kërkojnë njohje ndërkombëtare të Qeverisë së tyrePërgjatë vizitës – nga e diela deri të martën – talibanët do të bisedojnë me “autoritetet norvegjeze dhe zyrtarë nga një numër shtetesh”, duke përfshirë Britaninë, Bashkimin Evropian, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën në Afganistan, ku miliona njerëz janë duke u përballur me katastrofë humanitare”, ka thënë ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Anniken Huitfeldt.
Talibanët janë rikthyer në pushtet në Afganistan verën e kaluar, ndërkohë që trupat ndërkombëtare janë tërhequr pas prezencës për dy dekada.
Pushtimi amerikan më 2001 ka rrëzuar talibanët, pas sulmeve të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar në mënyrë drastike prej muajit gusht.
Ndihma ndërkombëtare është ndalur dhe Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar 9.5 miliardë dollarë të aseteve të Bankës Qendrore të Afganistanit.
SHIKONI EDHE: OKB lëshon fonde për të parandaluar shkatërrimin e sistemit shëndetësor në AfganistanVarfëria tani rrezikon 23 milionë afganë, apo 55 për qind të popullsisë, sipas Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë thënë se nevojiten 5 miliardë dollarë nga donatorët këtë vit, për të adresuar krizën humanitare në këtë shtet.
Talibanët kanë thënë se ministri i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi do të udhëheqë delegacionin.
“Kjo vizitë do të hapë rrugën për bisedime dhe takime”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Zabihullah Mujahid, për agjencinë e lajmeve AFP.
Bisedimet do të zhvillohen edhe me përfaqësues nga Uashingtoni për “çështjet në pritje” sikurse lirimi i fondeve të ngrira, ka thënë ai.