Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se është e rëndësishme që qytetarët serbë në Kosovë që kanë të drejtë vote, të mund ta ushtrojnë këtë të drejtë gjatë referendumit për ndryshimet kushtetuese në Serbi, që mbahet të dielën më 16 janar.
Ai tha se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Borrell përmes një postimi në Twitter.
Kosova ka thënë se qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë do të mund të votojnë vetëm përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.
"Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, shkroi Kurti në Twitter pas një bisede me Borrellin më 12 janar.
Në selinë e BE-së në Bruksel thanë se votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe këto votime i ka mbikëqyrur dhe asistuar OSBE-ja.
“Ndonëse nuk ka një obligim nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është bërë një praktikë që palët të komunikojnë përmes OSBE-së para çfarëdo zgjedhjesh dhe të pajtohen që OSBE të mbledhë fletëvotimet”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke përmendur zgjedhjet e zhvilluara në Serbi, për të cilat janë “mbledhur votat” edhe në Kosovë.
“Ne me keqardhje shohim se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që operacionet për organizimin e referendumit të Serbisë më 16 janar. I bëjmë thirrje Kosovës që të zbatojë praktikën ekzistuese. Qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e mospajtimeve politike, sidomos kur është fjala për pjesëmarrjen e tyre në procesin demokratik”, tha Stano.
Ai tha se blloku evropian u bën ftesë palëve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të mundësuar që qytetarët me të drejtë vote, që banojnë në Kosovë, të mund ta shfrytëzojë këtë të drejtë të tyre. Stano ka bërë thirrje që për këtë çështje të diskutohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ndërkaq, sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të mos lejojë organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Sipas tij, “referendumi kushtetues çdo herë është manifestim i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi”.
Hasani ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për dy sovranitete konkurrente dhe, sipas tij, “Serbia nuk ka të drejtë dhe nuk mund të ushtrojë sovranitetin ose kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës”.
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë para një sfide shumë të madhe në rastin e moslejimit në Kosovë të referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
“Ajo (Qeveria e Kosovës) mund të fitojë shumë nëse nuk e lejon mbajtjen e referendumit, sepse për qytetarët e Kosovës kjo do të jetë hera e parë që do t’u dëshmohet se edhe organizimet e tilla mund të parandalohen dhe mund të konsiderohet si një etapë e re në raportet institucionale në mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, gjithsesi duhet të kihet kujdes që një vendim i tillë të mos ndikojë negativisht në relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, ka thënë Muhaxhiri.
Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
SHIKONI EDHE: OSBE-ja do të grumbullojë në Kosovë votat e zgjedhjeve parlamentare të SerbisëQeveria e Kosovës, në një përgjigje për REL-in dërguar më herët gjatë kësaj jave, ka thënë se nuk ua ka ndaluar dhe as mohuar qytetarëve serbë, të cilët e gëzojnë dyshtetësinë, “që të ushtrojnë të drejtën e tyre të pjesëmarrjes në zgjedhjet e Serbisë”.
“Megjithëkëtë, duhet bërë dallimi mes referendumit për një çështje ekskluzivisht të brendshme të një vendi dhe zgjedhjeve. Në rastin konkret, Serbia po organizon referendum për sistemin e organizimit shtetëror të Serbisë, përkatësisht sistemin e drejtësisë, si tendencë e [presidentit të Serbisë, Alleksandar] Vuçiqit që Serbia të duket shtet demokratik e modern”, ka thënë Qeveria e Kosovës.
Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.
Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
SHIKONI EDHE: A do të mund të votohet nga Kosova në referendumin e Serbisë?Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.