BE mbështet Francën në mospajtimet për paktin Aukus

Flamuj të Bashkimit Evropian.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë solidarizuar me Francën, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve elektrike franceze, dhe të arrijë marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nëndetëse me kapacitet bërthamor.

Ky njoftim “ka qenë në kundërshtim me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në Indo-Paqësor”, ka thënë shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell më 20 shtator, pasi është takuar me ministra të BE-së, në margjina të takimeve në Asamblenë e Përgjitshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian ka thënë se ka anuluar një takim në Nju Jork me homologun e tij australian, për shkak të “krizës së besimit” nga humbja e 40 miliardë dollarëve në kontratën për nëndetëse.

SHIKONI EDHE: Franca: SHBA-ja dhe Australia "gënjyen" për paktin e ri të sigurisë

Ministri Le Drian ka thënë se nuk ka pasur takim të planifikuar me homologun e tij amerikan, Antony Blinken, mirëpo “mund ta takojë në korridore”.

Ai ka thënë në një konferencë për media se Francës i është fshehur marrëveshja e re për nëndetëse.

“Ne jemi aleatë, ne bisedojmë dhe nuk fshehim strategji të ndryshme. Për këtë ka krizë të besimit”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, Parisi ka marrë vendim të pashembullt, duke thirrur për konsultime ambasadorët që ka në Australi dhe Shtetet e Bashkuara.

SHBA, Britania dhe Australia kanë thënë se marrëveshja e re forcon përkushtimin e tyre për rajonin e Indo-Paqësorit dhe kanë insistuar se kriza diplomatike nuk do të ndikojë në marrëdhëniet afatgjata me Francën.

Marrëveshja e arritur së fundmi nënkupton se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që do të ketë nëndetëse me kapacitet bërthamor.