Komisioni Evropian ka nisur procedurë disiplinore kundër Hungarisë, që mund të çojë në ngrirjen e fondeve të bllokut evropian për shkak të shkeljeve të normave demokratike nga ana e Budapestit.
Kjo lëvizje vjen dy ditë pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban, fitoi zgjedhjet parlamentare me një diferencë të madhe.
Fitorja e Orbanit erdhi pavarësisht që BE-ja e ka kritikuar atë për vite me radhë për sistemin e prokurimit publik, për konflikte të interesit, politikat e migracionit, për pavarësinë e gjyqësorit si dhe për kufizimet në lirinë e mediave.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet që “i dhanë fund demokracisë”Komisioni Evropian tha më 5 prill se do të përdorë mekanizimin e ri të sundimit të ligjit, që nuk është përdorur asnjëherë, dhe tha se shtysa për këtë vendim ishte që të parandalohej keqpërdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian.
“Ne kemi qenë shumë të qartë se bëhet fjalë për korrupsion”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një seance plenare të Parlamentit Evropian.
“Ne do të dërgojmë tani një letër për njoftim zyrtar me qëllim që të nisë mekanizmi i kushtëzimit”, shtoi ajo.
Ky mekanizëm i ri është vendosur për t’i dhënë fuqi BE-së që të ndërpresë financimin e shtete që nuk ndjekin rregullat thelbësore të bllokut evropian. Për këtë mekanizëm ishin pajtuar të 27 shtetet anëtare në fund të vitit 2020, pavarësisht hezitimit nga Hungaria dhe Polonia.
SHIKONI EDHE: Gjykata e BE-së miraton kushtëzimin e fondeve me sundimin e ligjitMekanizmi është mbështetur nga shtetet e pasura të BE-së që kanë kërkuar mbikëqyrje më të madhe, me qëllim që të sigurohen se paratë nuk do t’i ndihmojnë qeverive që minojnë demokracinë.
Qeveria hungareze tha se vendimi për të përdorur këtë mekanizëm ishte i gabuar.
Shefi i stafit të Orbanit, Gergely Gulyas, i bëri thirrje Komisionit Evropian që të “mos i ndëshkojë votuesit hungarezë për shprehjen e mendimit të tyre, që nuk i përshtatet Brukselit”.
Ai tha se “rregullat bazike të demokracisë” duhet të pranohen nga KE-ja dhe bëri thirrje që blloku evropian t’i kthehej dialogut.
Hungaria dhe Polonia, që të dyja vazhdimisht marrin miliarda euro nga fondet e BE-së, e kanë dërguar krijimin e mekanizmit të ri pranë gjykatës kryesore evropiane. Por, Gjykata Evropiane për Drejtësi në shkurt hodhi poshtë kërkesën e këtyre dy shteteve.
Në mënyrë që mekanizmi të hyjë në fuqi, 15 shtetet e BE-së që përfaqësojnë 65 për qind të popullatës së bllokut evropian duhet të pajtohen që ta ndëshkojë Hungarinë, dhe Budapesti do të ketë shumë mundësi që ta apelojë këtë proces.