BE-ja me fonde për ndaljen e refugjatëve afganë

BE-ja druan se për shkak të intensifikimit të luftimeve në Afganistan, mund të shkaktohet një fluks i ri i refugjatëve drejt bllokut evropian.

Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re të ndihmës financiare për Afganistanin dhe fqinjët e tij, për të ndihmuar që të kufizohet fluksi i refugjatëve, që mund të shkaktohet nga intensifikimi i luftimeve mes forcave qeveritare dhe militantëve talibanë, thanë dy zyrtarë.

Tërheqja e trupave të huaja nga Afganistani pas pothuajse dy dekadave ka galvanizuar talibanët, të cilët mund të rimarrin kontrollin e pjesëve të mëdha të shtetit, që do të nxiste një fluks të ri refugjatësh.

Plani i BE-së, që është në fazë përgatitore, do të përfshinte më shumë ndihmë financiare për të ndihmuar Afganistanin, Pakistanin dhe shtetet e tjera në rajon, thanë për Reuters dy zyrtarët e BE-së dhe një diplomat, që kishin njohuri për bisedimet. Ata thanë po ashtu se para do t’i jepen edhe Iranit.

Synimi është që të ndihmohen refugjatët që gjenden më pranë vendlindjes së tyre, duke shmangur një fluks të ri të azilkërkuesve në BE, tha një zyrtar.

SHIKONI EDHE: Evropa pas pandemisë, e fortifikuar për migrantët

Komisioni Evropian ka refuzuar që të komentojë. Më 2021, BE-ja ka planifikuar të shpenzojë rreth 57 milionë euro për mbështetje humanitare për Afganistanin. Mbështetja financiare në vitet e ardhshme nuk do të jetë e gatshme para vjeshtës dhe duhet të miratohet nga qeveritë e BE-së dhe ligjvënësit.

“Paratë mund të shkojnë në Afganistan, por edhe në Pakistan dhe ka gjasa që edhe në Iran”, tha diplomatik, duke shtuar se fondet për Kabulin varen nga përparimi që bëjnë militantët talibanë. Shpërndarja e fondeve do të ishte më e vështirë nëse talibanët vijnë në pushtet.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell javën e kaluar, në Tashkent u takua me presidentin afgan, Ashraf Ghani dhe kryeministrin pakistanez, Imran Khan.

Në një postim të mërkuren, Borrell i ka ofruar mbështetje Afganistanit dhe rajonit, por ka thënë: “Mbështetja në të ardhmen e Afganistanit...do të jetë e kushtëzuar në ruajtjen e përparimit demokratik”.

Turqia, që pritet të marrë fonde të reja nga BE-ja për të strehuar migrantët dhe refugjatët, mund të luaj rol në strehimin e më shumë afganëve, por çdo fond i ri për Afganistanin do të ishte i ndarë nga fondi i planifikuar prej 3.5 miliardë eurosh për Turqinë, që pritet t’i jepet deri më 2024.

SHIKONI EDHE: Greqia i bën presion Turqisë për migrantët

Pas vitit 2015, kur mbi një milion migrantë erdhën në BE, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, BE-ja ka arritur që të ulë numrin e azilkërkuesve, kryesisht falë marrëveshjes me Turqinë, e cila merr fonde nga blloku evropian, për të strehuar azilkërkuesit në territorin e saj.

Mbi 6.5 milionë afganë tashmë veç jetojnë në Iran dhe Pakistan. Paratë për Iranin do të theksonte sesa e rëndësishme për BE-në është fluksi i migrantëve. Pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018, BE-ja ka planifikuar ndihmë ekonomike, ndihmë e cila është penguar nga sanksionet e reja amerikane ndaj Teheranit.

Fondet e reja të BE-së nuk do të ishin ekskluzivisht për migrantët, por pjesa më e madhe e tyre do t’i dedikohej kësaj çështjeje, thanë zyrtarët.

Përgatiti: Mimoza Sadiku