BE pajtohet që Lajçak të jetë Përfaqësues i posaçëm për dialogun

Miroslav Lajçak.

Në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është arritur pajtimi që Miroslav Lajçak, të emërohet edhe formalisht si Përfaqësues i posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për disa çështje të tjera të angazhimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga burimet diplomatike në BE mësohet se vendimi për emërimin e Lajçakut do të merret javën e ardhshme, në ndonjërin prej takimeve të Këshillit të ministrave të bllokut.

Ideja ishte që këtë emërim ta bëjnë ministrat e Jashtëm, gjatë takimit të paraparë për të hënën, por kjo mund të shtyhet për më vonë gjatë javës, pasi dokumenti për mandatin e Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së duhet të ndryshojë.

Disa shtete kanë kërkuar që në tekstin e mandatit të bëhet e qartë se fokusi i punës së Përfaqësuesit të posaçëm të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë sesa çështjet tjera në rajon, siç është pajtimi apo diplomacia publike.

SHIKONI EDHE: BE: Ne jemi i vetmi lehtësues i dialogut Prishtinë-Beograd

Po ashtu, disa shtete kanë kërkuar që të sqarohen edhe raportet që të sqarohen edhe raportet që do të ketë Lajçak me përfaqësuesit e posaçëm të BE-së në Prishtinë dhe Sarajevë.

“Për emërimin e Miroslav Lajçak ka pajtim, por ende pritet të sqarohen disa hollësi rreth mandatit”, tha një diplomat i BE-së.

Këshilli i BE-së - që është institucioni që ka përgjegjësinë për emërimet e përfaqësuesve të posaçëm që zakonisht emërohen për shtete dhe rajone problematike -është po ashtu në pritje të ndryshimeve të procedurave, pasi shumica e takimeve zhvillohen përmes videove online, pa praninë fizike të ministrave në Bruksel, pas përhapjes së koronavirusit të ri.

SHIKONI EDHE: Skepticizmi ndaj BE-së dhe besimi në SHBA-në

Sipas rregullave ekzistuese, për të pasur mundësi të vendimmarrjes në takimet e Këshillit të ministrave, të pranishëm fizikisht duhet të jenë së paku gjysma e tyre. Por, për shkak të krizës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, fizikisht është e pamundur të ketë një kuorum të tillë.

Sekretariati i Këshillit dhe shërbimi ligjor janë duke e shqyrtuar mundësinë, që për një kohë kalimtare, të mund të merren vendime edhe me procedurë të shkruar dhe kjo mund të bëhet në rastin e emërimit të Lajçakut. Nëse lejohet që vendimet të merren në formë të shkruar, atëherë emërimi i Lajçakut mund të bëhet në cilindo prej takimeve të ministrave të BE-së në Këshill.

Për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Përfaqësuesi i lartë dhe kryeministri diskutuan edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Përfaqësuesi i lartë përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat duhet të hiqen pasi ato janë një pengesë për bashkëpunimin rajonal, i cili sot është më i nevojshëm se kurrë. Është e rëndësishme për Kosovën që të drejtojë një proces negociator përfshirës me Serbinë në formatin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka njoftuar Komisioni Evropian pas kësaj bisede telefonike.

SHIKONI EDHE: Skepticizmi ndaj BE-së dhe besimi në SHBA-në

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre, pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Serbia ka kushtëzuar kthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Kosovës që të heqë taksën, me qëllim që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.