BE: Për statutin e Asociacionit duhet të diskutohet në dialog

Flamuj të BE-së. Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet që Kosova të nisë menjëherë e pa vonesa punën në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse statuti i këtij Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Çështja se si të bëhet, në çfarë mënyre, si do të duket, si do të operojë, cili do të jetë statuti, duhet të diskutohet në dialog“, tha Stano.

Më 2016, Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja për themelimin e Asociacionit – që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut të Brukselit – nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, gjykata tha se mund të harmonizohet përmes akteve ligjore.

Shtetet e Bashkuar, por edhe shtete të BE-së sikurse Gjermania, më herët janë deklaruar se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vendimin e Kushtetueses dhe me letrën që atëbotë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, i kishte dërguar kryeministrit të atëhershëm kosovar, Isa Mustafa, ku thuhej se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 20 shtator përsëriti qëndrimin amerikan se është kundër një Asociacioni me kompetenca ekzekutive, ashtu siç kërkon Serbia.

SHIKONI EDHE: Ambasadori Hovenier për REL-in: Asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë

Stano u pyet disa herë nëse BE-ja ka qëndrimin se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por gjatë përgjigjes ai më shumë u përqendrua në thirrjen që Kosova të nisë punën për themelimin e tij.

“Kur është fjala për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Në vazhdimësi është përsëritur në disa konkluza të ministrave të Jashtëm dhe në fund në deklaratën e 27 shteteve anëtare për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe vendet anëtare kërkojnë që themelimi i Asociacionit të nisë pa vonesa shtesë dhe pa parakushte dhe secila palë e di mirë se çfarë duhet të bëjë, sepse nuk është hera e parë që kjo çështje është në tavolinë”, tha Stano.

SHIKONI EDHE:

BE: Themelimi i Asociacionit, pa parakushteEscobar kërkon që Qeveria e Kosovës të ketë një “qasje të re” në dialog

I pyetur nëse BE-ja vazhdon të mbajë qëndrimin e shprehur nga ish-përfaqësuesja e lartë, Mogherini, se si do të duhej të dukej Asociacioni, Stano tha se procesi i themelimit të Asociacionit duhet të nisë pa vonesa dhe gjatë tij do të vendoset se çfarë forme do të ketë.

Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se Asociacioni mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kërkojnë Kosovës që të themelojë Asociacionin. Ambasadori Hovenier tha për REL-in se themelimi i tij duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet të ndërmarrë Kosova.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Kosova dhe Serbia dështuan të arrinin ndonjë rezultat në rundin e fundit të dialogut të mbajtur më 14 shtator.

Pas takimit në Bruksel, nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili "e ka pranuar propozimin e tyre" për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së".

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, "i shmanget formimit të Asociacionit... ky është thelbi i gjithçkaje".