Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të përshpejtojnë dërgesat e furnizimeve me artileri dhe të blejnë më shumë municion për t’i ndihmuar Ukrainës, por ende duhet të punojnë se si t’i kthejnë këto synime në realitet.
Sipas një plani të përpiluar nga shefi i diplomacisë, Josep Borrell, shtetet e BE-së do të marrin stimuj financiarë prej 1 miliard eurosh për të dërguar më shumë artileri që ata kanë në Kiev, ndërkaq 1 miliard euro të tjera do të përdoren në blerjen e përbashkët të municioneve.
“Ka pasur një pajtim të përgjithshëm për këtë procedurë, por ende ka pyetje që nuk kanë përgjigje. Gjithçka duhet të diskutohet në detaje”, tha Borrell, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes së BE-së në Stokholm, mbledhje në të cilin mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov.
SHIKONI EDHE: Kryeministri letonez pro dërgimit të avionëve luftarakë në UkrainëBorrell tha se shpreson që plani të finalizohet gjatë takimit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes më 20 mars.
Reznikov u bëri thirrje ministrave në Stokholm që të mbështesin planin estonian për shtetet e BE-së, në mënyrë që ato të bëhen bashkë dhe të blejnë 1 milion fishekë 155-milimetërsh këtë vit me një kosto prej 4 miliard eurosh, në mënyrë që forcat ukrainase të mund të nisin kundërofensivë ndaj forcave ruse.
Plani i Borrellit është më i vogël në shkallë, por gjithsesi paraqet një hap të madh për BE-në pasi prokurimet e mbrojtjes gjerësisht shihen si çështje individuale të qeverive të shteteve anëtare.
Zyrtarët e BE-së thanë se blloku do të bëjë një porosi të madhe në emër të të gjitha qeverive anëtare, në mënyrë që të blejë armë me çmim më të lirë.
Megjithatë, zyrtarët ende po punojnë në detajet se si do të financohet e gjithë kjo procedurë dhe kush do ta udhëheqë procesin e blerjes së armatimeve nga kompanitë që i prodhojnë ato.
Ukraina po shpenzon më shumë fishekë sesa aleatët mund t’i prodhojnë, thanë zyrtarët, duke thënë se kjo gjë ka shtyrë BE-në që të shikojë mënyrat se si mund të rritet prodhimi.