Bashkimi Evropian sërish ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën në Jerusalem.
Ky koment nga blloku evropian vjen një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalem.
Një zëdhënës i BE-së, tha të hënën, më 15 mars, se “BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”.
“Pozicioni i BE-së është i njohur mirë dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 478, e vitit 1980, që thërret të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi. Të gjitha shtetet e BE-së, sikur edhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë ky zëdhënës.
SHIKONI EDHE: Kosova hap Ambasadën në JerusalemAi ka shtuar se “BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur përkushtimin e qartë për një zgjidhje të negociuar, të dy shteteve, të ndërtuar mbi parametrat e pranuar ndërkombëtarë dhe të drejtën ndërkombëtare”.
BE-ja rikujton se shefat e shteteve apo qeverive të bllokut, në samitin e tyre më 2017 kishin përsëritur se “pozicioni i BE-së rreth Jerusalemit mbetet i pandryshuar”.
“Pozicioni afatgjatë i BE-së është i qartë. Duhet të gjendet mënyra për zgjidhjen e statusit të Jerusalemit përmes negociatave, si një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe të përmbushen aspiratat e të dyja palëve. Çështja e Jerusalemit është çështje e statusit final. Në këtë kontekst, çfarëdo hapi diplomatik i cili vë në dyshim qëndrimin e përbashkët të BE-së, është çështje për shqetësim serioz dhe keqardhje”, tha zëdhënësi i BE-së.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, në pyetjen lidhur me hapjen e një zyreje të Ambasadës së Çekisë – shtet anëtar i BE-së, në Jerusalem, nga blloku evropian nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.
“Sa i përket Republikës Çeke, hapja e asaj që është përshkruar si Zyre në Jerusalem e Ambasadës në Izrael, ne rikujtojmë Rezolutën e Këshillit të sigurimit të OKB-së”, tha BE-ja, duke përsëritur qëndrimin se “të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura të Tel Aviv”.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. BE-ja që atëherë e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur.
Sa i përket Serbisë, në BE rikujtojnë se ata e kishin kritikuar edhe këtë obligim që Beogradi mori për zhvendosjen e Ambasadës, por shtuan se do të presin se si do të veprojë Beogradi dhe më pas blloku do të dalë me një qëndrim.
BE-ja, në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit dhe zgjerimit, pret që shtetet kandidate apo ato që aspirojnë anëtarësimin, të përshtaten me politikën dhe qëndrimet e përbashkëta të Brukselit zyrtar. Deri më tani, Shqipëria është shteti i vetëm që 100 për qind i ka përmbushur këto pritje ndaj BE-së, ndërsa më së paku në këtë drejtim ka bërë Serbia, sidomos kur janë vendosur masat ndaj Rusisë apo janë kritikuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e disa shteteve të tjera të botës.