Bashkimi i dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në buxhetin e Kosovës, Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës, në një agjenci të vetme, vlerësohet nga njohës të fushës si një projekt i cili duhet të realizohet.
Qeveria e Kosovës, në kuadër të prezantimit të programit, ka paralajmëruar se do të bashkojë ATK-në dhe Doganën në një agjenci të vetme.
Kjo, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti do të bëhet në mënyrë që të kalohet me mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuara nga kufiri në brendi të territorit si dhe për të hequr, siç thotë ai, ngarkesën që kanë bizneset sot në Kosovë.
Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës janë dy institucionet kryesore, nga të cilat mbushet buxheti i Kosovës. Dogana, në vitin 2019, ka grumbulluar mbi 1 miliard euro për arkën e shtetit, kurse Administrata Tatimore e Kosovës mbi 500 milionë euro.
Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk gabon nëse fillon qysh tani me unifikimin e këtyre dy organizatave, pasi që përfitimet do të jenë të mëdha.
“Përfitimet mund të jenë të shumëfishta edhe për ekonominë edhe për vet shtetin e qeverinë, për faktin se Kosova është një vend që në perspektivë po shkon drejt integrimit evropian dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë- CEFTA, e ka zbehur rolin e mbledhjes së detyrimeve kufitare, sepse çdo herë e më shumë tregtia po zhvillohet, në kuptimin pa taksa doganore dhe po ashtu integrimi i mundshëm do ta krijon situatën kur nuk do të ketë farë prezencë kufitare, të tillë, çfarë është sot dhe automatikisht barra me mbledhjen e detyrimeve do të bie mbi ATK-në që administron nga brenda”, thotë Huruglica.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.
MSA-ja, përveç tjerash, në aspektin ekonomik parasheh që nga viti në vit, tatimi doganor për produktet që vijnë nga Bashkimi Evropian të zbritet, derisa pas 10 vjetësh të hyrjes në fuqi, të gjithë produktet të mos kenë fare taksë doganore.
SHIKONI EDHE: Vonesa në zbatimin e MSA-sëPërfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se para bashkimit të këtyre dy institucioneve në një agjenci për mbledhjen e të hyrave, duhet të bëhen reforma në ekonomi.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet bërë një studim se si mund të bëhet ky unifikim.
“Iniciativa për bashkimin e dy agjencive doganore dhe tatimore të Kosovë në një, ishte një nismë para Qeverisë Hardinaj dhe kjo më vonë u pa që nuk ishte një hap i studiuar mirë dhe që do të ketë më shumë të hyra apo autoritet në kuptimin e rritjes së efikasitetit në mbledhjen e taksave. Shembuj të tillë ka pak në Bashkimin Evropian, prandaj është mirë të studiohet edhe më mirë. Prioritet më i madh për Qeverinë Kurti do të duhej të ishte reforma në zhvillimin ekonomik”, thotë Shahini.
Administrata Tatimore e Kosovës është një agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Financave. Kjo agjenci mbledh tatimet dhe kontributet për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Kurse Dogana e Kosovës, përveç detyrimeve doganore për mbledhjen Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksën, akcizën nëpër kufij, mbron shoqërinë edhe nga kontrabandimi i drogës, mallrave tjera të ndaluara me efekt të dëmshëm të krimit ekonomik si dhe evazionit në të hyra.
SHIKONI EDHE: Evazioni fiskal, bizneset sezonale verore i ikin tatimitIsh-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë se bashkimi i këtyre dy institucioneve në një agjenci për mbledhjen e të hyrave, do të ndihmonte dhe lehtësonte edhe veprimtarinë e bizneseve në vend.
“Mbi të gjitha, e rëndësishme është që shkëmbimi i informacionit apo analiza e përbashkët e punëve si dhe menaxhimi i detyrave do të rriste efikasitetin e dy organizatave si një të vetme dhe do të bënte më të thjeshtë dhe më të lehtë edhe për bizneset, pasi që do të përballeshin me një organizatë të vetme”, thotë ai.
Bashkimi i këtyre dy institucioneve në një agjenci të vetme, duke e quajtur atë si Agjencia e të Hyrave të Kosovës kishte nisur në vitin 2016 nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Isa Mustafa. Për këtë qëllim ishte harmonizuar edhe projektligji përkatës, por i cili nuk është miratuar.
Kjo nismë nuk ishte vazhduar pastaj nga Qeveria Haradinaj, pasi që ishte konsideruar e panevojshme.