Udhëheqësit e 44 shteteve evropiane morën pjesë në samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, që u mbajt të enjten në Pragë të Çekisë, teksa kontinenti evropian po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se samiti tregon “unitetin” e kontinenti evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Macron është ideator i krijimit të platformës së Bashkësisë Politike Evropiane.
“Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Evropën, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, tha Macron në fillim të samitit, që u mbajt në Kështjellën e Pragës.
“Ne ndajmë të njëjtën hapësirë, shpesh kemi edhe historinë e njëjtë, dhe ne e kemi për detyrë që ta shkruajmë të ardhmen së bashku”, shtoi lideri francez.
Në Pragë të Republikës Çeke u ftuan krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.
Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala, tha se ky samit është një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe për synimet e mbrojtjes së mjedisit.
Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se takimi në Pragë dërgon sinjal të qartë për izolimin e Rusisë, shtet që ka nisur një luftë të paprovokuar ndaj Ukrainës.
Scholz: Ky forum nuk duhet të shndërrohet në institucion
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se të gjithë liderët pjesëmarrës në këtë samit e shohin pushtimin rus të Ukrainës si veprim të papranueshëm.
“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit”, tha ai.
“Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, shtoi ai.
Megjithatë, Scholz tha se duhet pasur kujdes që forumi i Bashkësisë Politike Evropiane të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar.
“Nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni të ri që ka administratë dhe burokraci”, tha lideri gjerman, dhe shtoi se takimi të krerëve të shteteve në Pragë duhet të shërbejë “për të biseduar me njëri-tjetrin në mënyrë shumë konkrete”.
Edhe liderët e tjerë, që u mblodhën në Pragë, thanë se ky takim tregon unitetin dhe solidaritetin me Ukrainën.
Zelensky: Rusia ka vetëm politikë të luftës
Rusia “është shteti më anti-evropian në botë”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes video-lidhjes. Rusia ka vetëm një politikë “luftën kundër Ukrainës, kundër Evropës dhe kundër botës”, shtoi ai, teksa kërkoi që shtetet të rrisin ndihmën ushtarake për Kievin.
Zelensky tha se Ukraina duhet të mposht Rusinë "në mënyrë që tanket ruse të mos përparojnë drejt Varshavës, ose sërish në Pragë".
SHIKONI EDHE: SHBA-ja me ndihmë të re ushtarake për UkrainënPasi morën pjesë në tryeza të rrumbullakëta ku u bisedua për sigurinë dhe paqen, por edhe për ndryshimet klimatike, krizën energjetike dhe ekonominë, liderët mbajtën edhe takime dypalëshe. Shumica e takime dypalëshe u përqendruan në ndikimet që ka në sigurinë energjetike evropiane nga lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të biseduar për telashet energjetike të Evropës të shkaktuara nga lufta në Ukrainë. Norvegjia është bërë një nga furnizueset kryesore të energjisë së bllokut, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Von der Leyen po ashtu ka zhvilluar bisedime për energjinë dhe migrimin edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe me kryeministrin çek, Petr Fiala.
Po ashtu, liderët e Gjermanisë dhe Britanisë kanë biseduar për bashkëpunimin sa i përket furnizimeve në energji, por edhe për investimet në energjinë e gjelbër.
SHIKONI EDHE: Plani i Evropës për të tejkaluar krizën energjetike gjatë dimritOsmani takohet me Macronin dhe Scholzin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, ka zhvilluar një takim me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
“Mirënjohës presidentit Macron dhe kancelarit Scholz për takimin e sotëm përmbajtësor, për përkrahjen e tyre për Kosovën dhe angazhimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani ka biseduar me dy liderët për çështjen e liberalizimit të vizave dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, Osmani më herët gjatë së enjtes tha se kjo është një platformën e re, ku të gjithë përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe është vend për të sjellë ide për të tejkaluar sfidat e përbashkëta.
“Ajo me të cilën po përballemi është sfidë e madhe, por jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje të tregojmë sukses”, tha presidentja Osmani.
Osmani në takimin e Bashkësisë Politike Evropiane ka kërkuar përkrahjen e shteteve evropiane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket luftës në Ukrainë, sipas njoftimit për media, Osmani tha se Kosova i është bashkuar shteteve evropiane kundër “synimeve hegjemonist dhe destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve saj në Evropë dhe në rajonin tonë në veçanti”.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ideja e Bashkësisë Politike Evropiane është një ide e kamotshme, që po rilind në kohë krizash.
“Shpresoj të mos kemi nevojë për kriza për të pasur takime sërish. Shpresoj të shfrytëzojmë këtë takim e të vazhdojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për komunitetin e madh evropian”, tha Rama.
Në takimin në Pragë, Serbia ishte i vetmi shtet që ka perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Zyrtarët evropianë të përfshirë në organizimin e samitit kanë konfirmuar se presin që ky takim të jetë një mundësi ku Beogradit zyrtar do t'i kërkohet sërish të respektojë politikën evropiane të sanksioneve kundër Rusisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha gazetarëve para fillimit të samitit të Pragës se nuk ka frikë nga "ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigja ndaj liderëve evropianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”.
SHIKONI EDHE: Çfarë pritet të ndodhë në takimet e liderëve evropianë në Pragë?Macron kishte dhënë idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Evropiane në muajin maj të këtij viti. Ai dhe shtetet e tjera që e mbështesin këtë nismë thonë se nuk duhet të shihet si zëvendësim i procesit të zgjerimit të BE-së.
Presidenti i Francës po ashtu ka thënë më herët se kjo platformë ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të BE-së që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.