Kosova dhe 16 shtete të tjera joantëare të Bashkimit Evropian janë ftuar që të marrin pjesë në takimin e parë të forumit të ri evropian, Bashkësisë Politike Evropiane, që do të mbahet më 6 tetor në Pragë të Çekisë, tha një zyrtar i bllokut.
Përveç Kosovës, edhe Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Islanda, Litenshtajni, Moldavia, Norvegjia dhe Zvicra janë ftuar, tha ky zyrtar, duke shtuar se ftesë u është dërguar edhe Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë dhe Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Britania shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në Bashkësinë Politike EvropianeFtesat për 27 shtetet anëtare të BE-së për takimin në Pragë do të dërgohen më vonë, shtoi zyrtari i BE-së.
Ky takim do të mbahet para një samiti joformal të liderëve të bllokut evropian. Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë për sigurinë, migrimin dhe ndryshimet klimatike, por edhe për situatën aktuale ekonomike, megjithatë deri më tani nuk është paraparë që në fund të takimit të ketë një deklaratë të përbashkët, tha zyrtari i bllokut.
Idenë për krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane e ka paraqitur në maj presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Siç ka thënë ai, ky forum ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.
SHIKONI EDHE: Ideja e Macronit që mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-sëMacron ka thënë se shpreson që ky forum të ndihmojë në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët e BE-së në Evropën duke iu referuar Ukrainës, e cila më herët gjatë këtij viti mori statusin e vendit kandidat.
Megjithatë, edhe Franca, por edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka mbështetur Bashkësinë Politike Evropiane, kanë thënë se ky forum nuk duhet të jetë alternativë e zgjerimit të BE-së.