Strategjia e Iranit në Lindjen e Mesme në thelb bazohet në një proverb të vjetër: Jepu bashkëpunëtorëve dhe partnerëve tuaj armë në mënyrë që ata të mund të luftojnë një betejë. Mësoi ata të bëjnë armë në mënyrë që të mund të luftojnë armiqtë tuaj përjetë.
Me grupet militante të mbështetura nga Irani që po marrin përsipër luftën e Republikës Islamike kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani po sheh rezultatet e përpjekjeve të tij që t’iu mundësojë këtyre grupeve aftësi për të prodhuar vetë armë.
“Irani ka krijuar një rrjet të aleatëve dhe partnerëve në mbarë Lindjen e Mesme, nga huthit në Jemen, grupet pro-iraniane në Irak, grupet pro-iraniane në Siri, Hezbollahu në Liban e deri te Hamasi në Gaza”, tha Samuel Bendett nga Qendra për Analiza Detare, me seli në Virxhinia.
“Dhe [Teherani] në esencë dërgon atje teknologjinë e tij, ose ofron pjesë dhe ndihmë tjetër për zhvilluesit lokalë nga këto njësi, nga këto grupe, dhe ose i trajnon ata në Iran, ose i trajnon në lokacionet e tyre”.
SHIKONI EDHE: ‘Boshti i rezistencës’: Rrjeti i Iranit për krijimin e kaosit dhe luftimin e armiqveGjithnjë e më shumë këto grupe militante që mbështeten nga Teherani po i kthejnë sytë tek armët që i kanë prodhuar vetë, shpesh të bazuara në projekte iraniane apo të prodhuara ose montuara me ndihmën e Iranit.
“Tani këto grupe kanë shumë njohuri, të cilat ua ka dhënë Irani”, tha Bendett. “Tani ata, këtë njohuri po e përdorin kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon”.
Lëvizja e Rezistencës Islamike që mbështetet nga Irani – grup palestinez, që njihet më shumë si Hamas dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka përdorur një gamë të gjerë të armëve të prodhuara në vend dhe ka përdorur taktika të avancuara në fushëbetejë gjatë sulmeve të saj të befasishme ndaj Izraelit më 7 tetor, që lanë të vrarë afër 1.200 persona.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kanë gjetur mortaja dhe pajisje shpërthyese të prodhimit iranian, që ishin përdorur nga grupi radikal palestinez. Ushtria tha se këto armë u gjetën pas sulmeve të Hamasit dhe zyrtarët e ushtrisë izraelite kanë vlerësuar se deri në 10 për qind të armëve të përdorura në sulmet ndaj Izraelit, ishin prodhuar në Iran.
Por, shumica e armëve ishin prodhuar apo rafinuar nga Hamasi në Rripin e Gazës, përfshirë pushkët sulmuese, raketat, mortajat, predhat dhe municionet, thanë zyrtarët izraelitë të mbrojtjes.
Disa nga të paktën 19 bashkëpunëtorët dhe partnerët e Iranit në rajon, që janë pjesë e të ashtuquajturit bosht të rezistencës, po ashtu kanë përdorur armë me origjinë iraniane – apo që janë prodhuar në lokacionet ku gjenden grupet me ndihmën e Iranit – kundër Izraelit dhe trupave amerikane që gjenden në rajon që nga sulmet e Hamasit.
Këto grupe militante janë mburrur me nivele të ndryshme të fuqisë së zjarrit që kanë në arsenalet e tyre. Arsenalet e tyre përbëhen nga armë të epokës sovjetike, iraniane, të prodhuara nga vetë ata, por që bazohen në dizajnet iraniane. Përderisa Irani mohon se u dërgon këtyre grupeve direkt armë, shumë nga raketat apo armët e tjera janë të ngjashme me atë që prodhohen nga Irani.
Hezbollahu libanez mburret se ka arsenalin më të frikshëm të predhave nga të gjithë bashkëpunëtorët e Teheranit, përfshirë këtu raketa që i ka prodhuar vetë ose që i ka modifikuar. Që nga 7 tetori, Hezbollahu ka lëshuar qindra raketa drejt Izraelit.
Rebelët huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë pretenduar se kanë lëshuar raketa balistike dhe lundruese, por edhe dronë drejt Izraelit. Më 8 nëntor, Pentagoni njoftoi se një dron vëzhgues i ushtrisë amerikane u rrëzua në brigjet e Jemenit nga forcat huthi.
SHIKONI EDHE: Forcat amerikane në Irak, cak i shpërthimeve dhe sulmeve me dronëNë përgjigje ndaj mbështetjes që SHBA-ja i ka dhënë sulmit hakmarrës tokësor izraelit dhe bombardimeve në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi, bashkëpunëtorët e Iranit në Irak dhe Siri kanë kryer 58 sulme ndaj forcave amerikane muajin e kaluar, tha Pentagoni.
Teherani ka mohuar se është përfshirë në sulmet e Hamasit, dhe në fillim të nëntorit lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, raportohet se i ka bërë presion liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, që të heshtë zërat që bëjnë thirrje që Irani dhe Hezbollahu t’i bashkohen luftës Izrael-Hamas.
SHIKONI EDHE: “Shumë pak gjasa” që Irani të përfshihet drejtpërdrejt në konfliktin Izrael-HamasSipas burimeve të cituara nga Reuters, Khamenei gjatë një takimi me Haniyeh në Teheran, ka deklaruar se Irani do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje politike dhe morale Hamasit, por nuk do të futet drejtpërdrejtë në konflikt.
Por, Irani publikisht është mburrur lidhur me ndihmën ushtarake që i ka dhënë Hamasit në vitet e fundit. Dhe pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe bllokadës tokësore dhe detare në Rripin e Gazës që u vendos nga Izraeli dhe Egjipti më 2005, ekspertët kanë thënë se është e qartë që Teherani ka ofruar ndihmë që Hamasi të rrisë kapacitetet luftuese.
Analisti politik nga Lindja e Mesme, Ahmed Fouad Alkhatib, i tha REL-it se Hamasi ka ndërtuar arsenalin e tij duke vjedhur armë nga kolonët e evakuuar izraelitë në Rripin e Gazës apo duke i blerë ato në Izrael, duke kontrabanduar armë dhe materiale të tjera përmes kufirit me Egjiptin dhe duke i prodhuar vetë dronët, raketat dhe lloje të ndryshme municionesh.
Por, sipas tij, ka pak dëshmi se ka ndodhur ndonjë kontrabandë e armëve nga deti, që kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës më 2007. Kontrabanda nga Egjipti, që arriti kulmin pas revolucionit egjiptian më 2011, ka rënë ndjeshëm pasi Qeveria e Vëllazërisë Myslimane u rrëzua nga pushteti më 2013 dhe që atëherë kontrabanda “është zvogëluar”.
Megjithatë, Alkhatib tha se “armët dhe arsenali që Hamasi ka tani është ndërtuar për më shumë se një dekadë” dhe grupi radikal ka përfituar nga mijëra tonë armë të kontrabanduara dhe materiale që mund të përdoren për të prodhuar armët e veta.
“Edhe nëse do të ndalej kontrabanda, ajo janë të mjaftueshme për t’i ofruar Hamasit dhe grupeve të tjera aftësi për të shkaktuar dëm, siç e pamë më 7 tetor, dhe siç po e shohim në betejat mbrojtëse ndaj trupave izraelite”, tha Alkhatib, shtetas amerikan nga Gaza.
Përderisa Hamasi historikisht është përqendruar në ndërtimin e stoqeve me pushkë dhe mitraloz, tha ai, ky grup e ktheu vëmendjen në zhvillimin e aftësive kinetike – përfshirë minat, pajisje shpërthyese të improvizuara, raketa kundër tankeve dhe granatahedhës.
Hamasi ka investuar po ashtu shumë në zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe dronëve të ndryshëm.
Hamasi ka pasur një përçarje me Teheranin, përfshirë edhe për mbështetjen e grupit ekstremist për kryengritjen siriane në vitin 2011, tha Alkhatib.
Por, Yahya Sinwar, lider i Hamasit në Gazë, e riafroi grupin me Teheranin “sepse ata e kanë kuptuar se pa Iranin, aftësitë e tyre ushtarake nuk kanë gjasa që të vazhdojnë të zhvillohen”.
*Video: A ka rrezik për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme?
Your browser doesn’t support HTML5
Riafrimi “me Iranin, me regjimin sirian, dhe sigurisht me Hezbollahun”, shtoi ai, “janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me nevojat e Hamasit dhe mbështetjen tek Irani për blerjen e materialeve, dhe më e rëndësishme, në kohën e kontrabandës së kufizuar apo të ndaluar, teknologjitë dhe njohuritë për të prodhuar vetë sisteme të armëve”.
I ndihmuar nga dizajnet iraniane të armëve dhe përdorimit të platformave moderne digjitale për stërvitje nga distanca, Hamasi ka mësuar se si të përmirësojë raketat e vjetra dhe të zgjerojë rrezen e tyre të veprimit dhe fuqinë e tyre, tha ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hezbollahu po ashtu kanë mundur që të mësojnë nga distanca Hamasin lidhur me taktikat e luftimeve dhe si të zhvillojë rrjetin e tij masiv të tuneleve.
*Video: Tunelet nëntokësore në Rripin e Gazës
Your browser doesn’t support HTML5
“Dhe më e rëndësishmja, Irani po ashtu mëson Hamasin se si të përdorë aftësitë e tij strategjike”, tha Alkhatib, duke thënë se këtu bën pjesë edhe integrimi i dronëve në fushëbetejë.
“Ajo që ishte veçmas spektakolare në sulmin e 7 tetori”, tha Alkhabit, “ishte se Hamasi për herë të parë demonstroi një qasje me armë të kombinuara ndaj luftës guerile, ku inteligjenca ishte e lidhur me breshërinë e artilerisë, ishte e lidhur me aftësitë ajrore, pra të përdorimit të parashutistëve, ishte e lidhur me trupat tokësore të përbërë nga forca elite dhe me rrjetet e logjistikës për transportin e pengjeve në Gaza”.
“Ky është një hap përpara dhe cilësor në doktrinën luftarake të Hamasit. Grupi ka mundur të mësojë dhe të zhvillohet vetëm përmes ndihmës nga Irani, në aspektin e gjerë, dhe më konkretisht nga bashkëpunëtorët e tij dhe armët e tyre në rajon, sikurse Hezbollahu dhe Garda Revolucionare Islamike”, shtoi ai.
Gjetkë në Lindjen e Mesme, mbështetja e Iranit për bashkëpunëtorët e tij dhe përfshirja e tij në luftën civile siriane ka bërë që të ketë një numër të konsiderueshëm të luftëtarëve me përvojë, të cilët janë të gatshëm për konflikte në të ardhmen.
Alkhatib theksoi se Irani mbështet qindra mijëra pjesëtarë të milicive shiite dhe luftëtarë në Irak dhe Siri, si për të mbështetur Qeverinë e presidentit Bashar al-Assad në Siri, por edhe për të luftuar kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik së bashku me forcat qeveritare siriane dhe irakiane.
“Tani, kur IS-i dhe rebelët gjerësisht sirianë janë mposhtur, Iranit i mbetën milicitë e fuqishme, të trajnuara dhe organizuara mirë, të cilët nuk kishin çfarë të bënin”, tha Alkhatib. “Prandaj, ata janë ricikluar dhe janë vendosur në vende të tjera nga Garda Revolucionare në mënyrë që të forcohet edhe më shumë boshti i rezistencës dhe në mënyrë që këta luftëtarë të përdoren në një luftë potenciale me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara”.
Përgatiti: Mimoza Sadiku