Për shumë vite, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës është akuzuar se ka blerë barna shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre në treg.
Disa organizata joqeveritare që merren me raportimin dhe luftimin e korrupsionit në vend, kanë thënë se disa barna të blera nga Ministria e Shëndetësisë për t’i furnizuar institucionet spitalore, janë paguar deri në dy mijë për qind më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre.
Së fundmi, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka treguar se vetëm gjatë këtij viti, buxhetit për barna i janë kursyer rreth gjashtë milionë euro, pas ndërprerjes së disa kontratave që sipas tij kanë qenë abuzive.
SHIKONI EDHE: Ndërpriten kontratat “abuzive” për blerjen e barnaveIsmaili e ka përmendur një ilaç të quajtur Imatinibi, që përdoret për trajtimin e të sëmurëve me kancer dhe leukemi, i cili më herët ishte blerë me 32 euro ose kontrata vjetore kishte vlerën prej 652 mijë euro.
Sipas ministrit Ismaili,i njëjti ilaç tashmë blihet me 3.69 euro ose vlera totale e përgjithshme e kontratës njëvjeçare është 75 mijë euro.
“Korrupsioni në shëndetësi është dhimbje direkt te qytetaret dhe është humbje e madhe financiare për ta. Qytetarëve u janë krijuar shpenzime te jashtëzakonshme sepse buxheti është keqpërdorur dhe nuk është investuar për pacientët tanë, por për te paguar çmime te fryra dhe pasurim ne kurriz te pacientëve”.
“Një në gjashtë vdekje në botë ndodhë prej sëmundjes së kancerit. Për shkak të korrupsionit, barnat kundër kancerit te ne janë blerë shumëfish më shtrenjtë. Imatinibi, më herët është blerë për 652 mijë euro, ndërsa sasinë e njëjtë këtë vit ne e kemi blerë për 75 mijë euro. Në vetëm një kontratë ne kemi shpëtuar 577 mijë euro. Në total, për barnat kundër kancerit ne kemi shpëtuar rreth një milion euro. Barna më shumë, çmime më të lira”, ka thënë ministri Ismaili.
Por, onkologu Shemsedin Sadiku nuk pajtohet me ministrin Ismaili.
Sadiku thotë se ka disa vjet që ilaçi Imatinib më nuk është i patentuar çka do të thotë se këtë ilaç tashmë e prodhojnë disa kompani të ndryshme.
“Ne jemi duke e përdorur ilaçin Imatinibi dhe nuk jemi duke e vërejtur nëse ky ilaç është ndryshe pas ndërprerjes së kontratës furnizuese. Ne e përshëndesim iniciativën që ta kursejë buxhetin për barna, megjithatë më herët ky ilaç ka qenë i patentuar dhe kur ka dale nga patentomi, kanë filluar ta prodhojnë shumë kompani. Dhe në momentin që prodhohet nga shumë kompani, normalisht që i bie çmimi. Megjithatë, ne kemi pasur mungesë të këtij ilaçi me të cilin i trajtojmë rreth 70 pacientë me leukemi’’, i ka thënë Sadiku Radios Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, më shumë se 30 milionë euro janë ndarë këtë vit për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në sektorin publik shëndetësor në Kosovë. Ndonëse është potencuar nga zyrtarët shëndetësorë se ky buxhet cilësohet si i pamjaftueshëm, ata gjithashtu kanë theksuar faktin se Ministria e Shëndetësisë, prej vitesh ka blerë barna më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre në treg.
Këtë vit, shumë kontrata të nënshkruara prej vitesh me kompani farmaceutike që kanë furnizuar këtë sektor me barna, janë ndërprerë.