Jordan Bardella, udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar, do të kryesojë një grupim të ri të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian, të emëruar Patriotët për Evropën.
Njoftimi vjen një ditë pasi partia e Bardellës humbi rundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative në Francë.
Në një fjalim paszgjedhor të dielën mbrëma, Bardella tha se anëtarët e Tubimit Kombëtar në Parlamentin Evropian do t’i bashkohen një “grupi të madh” që do ta ndikojë “balancën e pushtetit në Evropë, duke refuzuar rrjedhën e emigrantëve, ekologjinë ndëshkuese dhe kapjen e sovranitetit tonë”.
Të hënën, Bardella tha se Patriotët për Evropën përfaqësojnë “shpresën për dhjetëra miliona qytetarë në vendet evropiane, të cilët vlerësojnë identitetin, sovranitetin dhe lirinë e tyre”.
Ai gjithashtu u zotua se do të punojë “për t'i riorientuar politikat në shërbim të kombeve dhe popujve tanë”.
SHIKONI EDHE: Ekstremi i djathtë dështoi, por Franca mbetet e polarizuar pas zgjedhjeveKryeministri hungarez, Viktor Orban, Herbert Kickl nga Partia e Lirisë e Austrisë e ekstremit të djathtë, dhe Andrej Babis, udhëheqës i partisë populiste çeke, ANO, njoftuan muajin e kaluar për formimin e aleancës Patriotët për Evropën.
Orban tha se ata kanë nënshkruar një “manifest patriotik”, që premton “paqe, siguri dhe zhvillim” në vend të “luftës, migrimit dhe stagnimit” që ka sjellë “elita e Brukselit”.
Brenda një jave, parti nga e djathta dhe e djathta ekstreme në 12 vende të Evropës thanë se do t’i bashkohen këtij grupimi.