Dilema e ukrainasve në vijën e re të frontit: Të rrinë apo të ikin?

Një ndërtesë e bombarduar në qendrën e Kozaça Lopana, afër kufirit rus në rajonin ukrainas të Harkivit.

Një predhë, e lëshuar prej tre kilometrash distancë nga kufiri rus, dhe bumi i zjarrit të artilerisë u dëgjua në fshatin Kozaça Lopan si nga veriu, ashtu edhe nga jugu, çdo 10 minuta, në një ditë në mes të majit.

Në këtë fshat ka shumë ndërtesa të dëmtuara, shumica të bëra rrafsh me tokë. Në shumicën e shtëpive kanë shenja se janë goditur nga granatimet dhe pothuajse të gjitha janë të braktisura pas avancimit rus në veri të rajonit të Harkivit.

Njëra prej tyre, në të cilën ende kishte banorë, ishte e rrethuar me dy kopshte për bukuri, pothuajse surreale në sfondin e luftës dhe shkatërrimit.

Një kopsht në Kozaça Lopan, Ukrainë.

Por, lulet nuk janë në vendin e duhur, tha Tetyana, e cila jeton në këtë vend së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj të rritur.

“Të gjitha raketat e kanë nxjerrë nga balanca atmosferën”, tha ajo. Po ashtu, një ngricë prishi sythat e një peme të qershisë dhe hardhitë e rrushit. Dhe, pavarësisht se qielli është vazhdimisht me re, në këtë zonë nuk ka pasur reshje shiu.

Tetyana, e cila mbush 87 vjet në qershor, tha se toka po vuan sikurse kishte pësuar gjatë okupimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, kur ajo ishte fëmijë.

“E njëjta gjë ndodhi edhe atëherë”, tha ajo. “E kam përjetuar atë luftë. Nuk ka pasur një pikë shiu, ishte thatësi, dhe edhe tani toka është çarë sikurse atëherë”.

Dy javë më herët, Rusia hapi një front të ri të luftës së saj kundër Ukrainës, duke dërguar trupa përtej kufirit në rajonin e Harkivit dhe po sulmon nga toka e ajri qytete e qyteza pranë kufirit.

Tetyana tërë jetën e saj ka jetuar në Kozaça Lopan. Tani, në tabelat e vendosura në mbarë qytetin njoftohet se ofrohet evakuim pa para. Por, ajo, burri i saj 93-vjeçar dhe vajza e tyre, Natasha, nuk duan të largohen.

Mëngjesin e 17 majit, ata u zgjuan dhe dolën nga bodrumi me lagështi ku flinin, që është i shkëputur nga shtëpia e tyre. Kur dolën nga bodrumi nën tokë, që është relativisht i sigurt, ata e gjetën veten të rrethuar nga tymi.

“Fushat atje prapa ishin kapluar nga flakët. Menduam se shtëpia na u dogj. Falë Zotit, zjarri më pas u shua vetë”, tha Tetyana.

Tri automjete të dëmtuara nga një sulm me bombë.

“Rusia po tenton që ta bëjë këtë një zonë neutrale në mënyrë që të gjithë të shkojnë në Harkiv”, tha Natasha, duke iu referuar kryeqytetit rajonal që gjendet dhjetëra kilometra më në jug, i cili është goditur nga sulmet ruse me dronë dhe raketa. Natasha tha se personalisht ka numëruar deri në 60 sulme në fshat brenda një dite.

Në kopshtin e perimeve që gjendet prapa shtëpisë kishte copëza të raketave, ndërkaq hambari ishte goditur nga një bombë në shkurt. Tri makina të goditura nga sulmet u janë ekspozuar elementeve të natyrës, tha Natasha shtoi se ato tani janë si “gjethe prej metali”.

Ndërkaq, luleshtrydhet në kopshtin e kësaj shtëpie u kanë shpëtuar sulmeve.

“Këtu kemi patatet. Ende këtu, përderisa brumbulli nuk i gëlltit”, tha Natasha. Ajo iu referua brumbullit, pasi vijat zi dhe portokalli të brumbullit i ngjasojnë fjongos së Shën Gjergjit, një simbol luftarak rus. Kjo referencë e burbullit është përdorur si ofendim për separatistët prorusë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Ekipet emergjente ukrainase pas një sulmi me raketa të kryer nga Rusia në Harkiv më 23 maj 2024.

Pasi javën e kaluar e gjetën veten mes tymit, kjo familje gjeti dikë që të marrë shumicën e gjërave që ata kanë për t’i dërguar në një banesë në Harkiv. Por, ata nuk duan që të zhvendosen atje: Banesa është në katin e tetë të një ndërtese që ka pak mbrojtje nga dronët dhe raketat ose – nëse forcat ruse avancojnë edhe më shumë – artileria mund të godasë brenda perimetrit të qytetit.

“Për këtë gjë, ne jemi në udhëkryq”, tha Tetyana. “Nuk e dimë se çfarë të bëjmë”.

Ata i larguan gjërat e tyre paraprakisht, në rast se do të jepet urdhër për evakuim të detyrueshëm. Në shumë raste, njerëzve që urdhërohen të evakuohen iu thuhet që të marrin me vete vetëm dokumentet zyrtare dhe të lënë gjithçka tjetër pas.

Tani për tani, kjo familje po jeton në terr dhe po jeton me atë që prodhon vetë në kopsht dhe me ushqimin e konservuar që merr nga Programi Botëror i Ushqimit. Ata nuk dalin jashtë mureve të shtëpisë dhe kopshtit.

Një prej disa qenve që Natasha ushqen, qëndron pranë portës së shtëpisë së saj.

Në rrugën poshtë shtëpisë, Mykola tregoi krateret e reja të krijuara nga granatimet që disa ditë më parë goditën në oborrin e tij. “Ata na sulmuan në pikë të ditës”, tha ai.

Mykola, që ka të amputuar të dyja këmbët, tha se sivjet nuk mbolli asgjë në bahçen e tij. Në karrocën e tij, me të cilën lëvizë, qëndron maçoku i tij, Timukha.

“Kur ata gjuajnë nga diku, ai [maçoku] nuk di më as ku të fshihet”, tha Mykola.

Shumica e fqinjëve të tyre, por edhe banorët e fshatrave të tjerë në rajonin e Harkivit, gjenden në mes të luftimeve, teksa Rusia po avancon. Që kur nisën ofensivën më 10 maj, forcat ruse kanë marrë pjesë të konsiderueshme të territorit në anën ukrainase të kufirit në lindje të Kozaça Lopanas. Ata po tentojnë të marrin nën kontroll Vovçanskun, një qytet që para nisjes së pushtimit kishte 17.000 banorë. Forcat ruse kanë shkatërruar pothuajse plotësisht këtë qytet përmes bombardimeve.

Mykola dhe maçku i tij, Timukha në Kozaça Lopan, Ukrainë.

Përparimi rus në këtë zonë është ngadalësuar pas hovit fillestar. Më 24 maj, ushtria ukrainase pretendoi se forcat e saj “kanë ndaluar trupat ruse në sektorin e Harkivit dhe po kryejnë veprime kundërofensive”.

Oleh Synyehubov, guvernatori i rajonit të Harkivt, shkroi në Facebook se më shumë se 11.000 persona janë evakuuar nga i mbarë rajoni deri më 24 maj.

Të zhvendosurit kryesisht shkojnë në Harkiv – pavarësisht rrezikut në qytetin që gjendet 30 kilometra larg kufirit rus – dhe më pas vendosin nëse duan të largohen edhe më shumë nga fronti. Shumica e atyre që mbesin janë të moshuar, që kanë pak mundësi të fillojnë nga e para në një qytet të ri.

Një ndërtesë e dëmtuar nga sulmet në Vovçansk.

Nina, një pensioniste, u evakuua nga Vilça, që gjendet në periferi të Vovçanskut. Tash për tash, ajo dhe nëna e saj e shurdhër jetojnë në një konvikt, që dikur i përkiste një shkolle të mesme, por që tani është shndërruar në një qendër pritëse për të zhvendosurit në Harkiv. Ky konvikt po udhëhiqet nga Komiteti Ndërkombëtar për Shpëtim dhe Kombet e Bashkuara.

Këto organizata iu ofruan gjithçka që Nina dhe nëna e saj kanë nevojë, tha ajo. Por, nënë e bijë ende nuk dinë se çfarë të bëjnë. Pas një jave qëndrimi në konvikt, ajo gjeti një banesë në qytet.

“Por, nuk e di se si do të jetoj në banesë. Nuk jam e mësuar me një jetë të tillë. Kam nevojë të jem në kopshtin tim, duke mbjell dhe të rrethohem nga lulet”.

Kjo nuk ishte hera e parë që Nina është zhvendosur për shkak të një fatkeqësie: Shumë banorë të Vilças ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre afër centralit bërthamor të Çernobilit më 1986.

Dy qentë e Natashas.

Në Kozaça Lopan, ka edhe diçka tjetër që e shtyjnë Natashan të mos largohet: kafshët shtëpiake që ajo ka dhe qentë endacakë për të cilët kujdeset.

Kur ka shpërthime të zhurmshme, qentë e saj strehohen në oborr.

“Ata janë dashuria ime”, tha Natasha. “Si mund t’i lë ata?”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku