Banorët e Floridës ikin për t'i shpëtuar uraganit Milton që po afrohet

Banorët e qytetit Naples të Floridës, duke u larguar në drejtim të Miamit, më 8 tetor 2024, ndërsa Uragani Milton afrohet.

Banorëve të Floridës nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për t'u evakuuar ose për t'u strehuar përpara se të godasë uragani Milton, që parashikohet të jetë një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë bregun e Gjirit të Floridës.

Me më shumë se një milion banorë në zonat bregdetare nën urdhra për evakuim, ata që po largoheshin drejt zonave më të larta bllokuan autostradat dhe pikat e karburantit, në rajonin që ende po rimëkëmbet nga pasojat e uraganit Helene, që goditi zonën më pak se dy javë më parë.

Stuhia parashikohet të godasë zonën metropolitane të Tampa Bay, ku jetojnë mbi tre milionë njerëz, megjithëse parashikuesit thanë se rruga e saj mund të ndryshojë përpara se të prekë tokën në orët e vona të së mërkurës në mbrëmje ose herët të enjten në mëngjes, sipas kohës lokale.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryetarja e Tampas, Jane Castor, paralajmëruan njerëzit në zonat e evakuimit që të largoheshin ose do të ishin në rrezik për jetë.

SHIKONI EDHE: Të paktën 107 të vdekur nga uragani Helene në SHBA

Michael Tylenda, i cili po vizitonte djalin e tij në Tampa, tha se po i përgjigjej këtij këshillimi.

“Nëse dikush di diçka për Floridën... kur nuk evakuohesh pasi urdhërohesh, ke gjasa të vdesësh”, tha Tylenda. “Ka pasur shumë njerëz që kanë qëndruar në shtëpitë e tyre dhe kanë përfunduar të mbytur. Nuk ia vlen. Shtëpia mund të zëvendësohet. Gjërat mund të zëvendësohen. Kështu që është më mirë të largohesh nga qyteti”.

Milton pritet të ruajë fuqinë si uragan ndërsa kalon gadishullin e Floridës, duke sjellë gjithashtu rrezik për stuhi në bregun Atlantik të shtetit.

Rreth 2.8 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të SHBA-së është në rrugën direkte të Miltonit, tha Ryan Sweet, kryeekonomist i SHBA-së në Oxford Economics. Linjat ajrore, kompanitë e energjisë dhe një park i Universal Studios janë ndër kompanitë që kanë ndaluar operacionet e tyre në Florida ndërsa po përgatiten për ndërprerje.

SHIKONI EDHE: Florida shtrëngohet para zbarkimit të uraganit Milton

Milton u bë stuhia e tretë me intensifikimin më të shpejtë në historinë e Atlantikut, duke kaluar nga Kategoria 1 në Kategorinë 5 në më pak se 24 orë.

“Këto temperatura jashtëzakonisht të ngrohta të sipërfaqes së detit ofrojnë karburantin e nevojshëm për intensifikimin e shpejtë që pamë të ndodhte”, tha shkencëtari klimatik, Daniel Gilford, nga Climate Central, një grup kërkimor jofitimprurës. “Ne e dimë që ndërsa njerëzit rrisin sasinë e gazeve serrë në atmosferë, kryesisht duke djegur lëndë djegëse fosile, ne po rrisim atë temperaturë në të gjithë planetin”.

Trafiku i dendur bllokoi rrugët që çonin jashtë Tampas të martën, kur rreth 17 për qind e afro 8.000 pikave të karburantit të Floridës kishin mbetur pa furnizime, sipas monitoruesit të tregjeve të karburantit GasBuddy.