Bankat të rrezikuara nga rastet në rritje të tentim-grabitjeve 

BQK

Grabitjet apo tentim-grabitjet e bankave në Kosovë, janë një dukuri në rritje për kah rastet që raportohen muajt e fundit nga Policia e Kosovës. Ekspertët e çështjeve financiare thonë se grabitja e bankave komerciale në Kosovë nuk është një fenomen i ri, por kohëve të fundit është shqetësues fakti se, pas një periudhe “pushimi”, grabitja e bankave është shpeshtuar.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës vetëm për një muaj nga (15 gusht deri në shtator) janë grabitur shtatë filiale të bankave dhe shumica prej tyre gjatë ditës dhe nën kërcënimin e armeve të përcjella edhe me dëme materiale.

Ky subjekt ekonomik ka kërkuar nga autoritetet kompetente që këto raste të merren me prioritet, pasi kjo mund të ketë ndikim negativ tek klientët dhe investitorët.

Ismet Mulaj, ish-drejtor ekzekutiv i Odës Tregtare të Afarizmit në Kosovë, thotë se nëse grabitjet nuk arrijnë të parandalohen, ato mund të kthehen në fenomen të rrezikshëm, pasi grabitjet mund të humbin besimin e sigurisë të punëtorëve që të punojnë, por edhe besimin e klientëve që paratë e tyre i kursejnë në këto institucione.

Rastet e shpeshta të grabitjeve në bankat komerciale mund të ndikojnë negativisht edhe tek investitorët e huaj, thotë Mulaj, duke shtuar se shumica e institucioneve bankare në vend janë më kapital të huaj.

“Është një element shumë negativ për investitorët e huaj. Është element negativ që fut probleme në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit për shkak se krijohen dyshime se grabitjet dhe plaçkitjet mund të jetë krijuar nga të punësuarit aty”, shprehet Mulaj.

Ekspertët për çështje financiare ndërkaq konsiderojnë se grabitja e objekteve të bankave, paraqet kërcënim për jetën dhe sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve të pranishëm në rastet kur ka sulme të tilla, kurse nuk rrezikojnë kursimet e qytetarëve.

SHIKONI EDHE: Shqetësime për sigurinë publike

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se klientët nuk duhet të frikësohen, sepse mjetet financiare të grabitura i mbulojnë vetë bankat nga fitimet e tyre.

“Të gjitha mjetet e plaçkitura nuk e dëmtojnë kursimin e depozituesit, por të njëjtat duhet t’i mbulojnë bankat nga fitimet e tyre. Kur dimë se fitimet e bankave vitet e kaluara kanë arritur deri në 80-90 milionë euro, kurse në këtë vit pritet që fitimet e 10 bankave komerciale të jenë mbi 100 milion euro”, shprehet Bektashi.

Edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës sigurojnë klientët se çdo dëmtim financiar që ndodh më rastin e vjedhjeve të bankave kompensohet nga vetë bankat.

“Sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Operacional, bankat informojnë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me këto ngjarje, si dhe informojnë organet e rendit dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse. Çdo dëmtim financiar që ndodhë me rastin e vjedhjeve të bankave, kompensohet nga vet banka dhe asnjëherë nga klientët apo BQK-ja. Për më shumë, në funksion të mbulimit të dëmeve financiare bankat sigurojnë paranë e gatshme”, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike nga zyrtarë të BQK-së.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, nuk ka statistika të veçanta për numrin e grabitjeve të bankave komerciale, por thuhet se gjatë periudhës janar - shtator të këtij viti janë raportuar 221 raste te grabitjeve të ndryshme.

SHIKONI EDHE: Armët ilegale, kërcënim i përditshëm për sigurinë e qytetarëve

Në një përgjigje nga zyra për informim e Policisë së Kosovës, thuhet se “çdo incident që rrezikon sigurinë e përgjithshme apo pengimin e realizimit të detyrave zyrtare, policia do t’i përgjigjet me vendosmëri dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj shkelësve të ligjit”.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale, tetë prej tyre janë banka me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër-kredi, e-banking.

Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 223 degëve dhe nëndegëve, 500 bankomateve. Rreth 3,328 është numri i të punësuarve në dhjetë banka komerciale.