Ekspertë të sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara thanë se një sulm kibernetik, që nisi më 2 korrik, preku mijëra viktima në së paku 17 vende të botës.
Ekspertët u atribuuan përgjegjësinë bandave rusishtfolëse, ndërsa thanë se kriminelët kanë kërkuar shpërblime në vlerë prej 45,000 deri në 5 milionë dollarë.
Fred Voccola, shef i Kaseya-s, kompani me seli në SHBA, softueri i së cilës u prish, gjithashtu vlerësoi se numri i viktimave është mijëra.
Ai tha se shumica janë biznese të vogla, si objekte dentare, firma të arkitekturës, qendra të kirurgjisë dhe biblioteka.
Shkollat, agjencitë e vogla qeveritare, agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë e kontabilitetit janë gjithashtu në mesin e viktimave të raportuara.
SHIKONI EDHE: Rusia përdor “forcë brutale” për të hyrë në sistemet kompjuterikeKompania beson se e ka identifikuar burimin e cenueshmërisë dhe do të lëshojë një raport për klientët e prekur sa më shpejt që të jetë e mundur, tha Voccola në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ai nuk pranoi të ofrojë detaje për sulmin, por tha se “niveli i sofistikimit ishte i jashtëzakonshëm”.
Ekspertët e sigurisë kibernetike në SHBA thanë se banda REvil - një sindikatë e madhe rusishtfolëse - duket se qëndron prapa sulmit.
Sipas tyre, nuk është rastësi që sulmi nisi në fundjavën kur SHBA-ja shënoi përvjetorin e pavarësisë. Shumë biznese mund të mos e zbulojnë se janë goditur derisa të rihapen më 5 ose 6 korrik.
FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës në SHBA janë duke bërë hetime dhe u kanë kërkuar kompanive që t’i raportojnë problemet, por kanë paralajmëruar se “shkalla e këtij incidenti mund ta bëjë të pamundur përgjigjen për secilën viktimë veç e veç”.
SHIKONI EDHE: Putin: I dorëzojmë hakerët nëse edhe SHBA-ja vepron njëjtëPresidenti Joe Biden i ka urdhëruar agjencitë e inteligjencës amerikane që të hetojnë incidentin.
Anne Neuberger, zëvendëskëshilltare e Shtëpisë së Bardhë për teknologjinë kibernetike dhe teknologjinë në zhvillim, tha se FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare “do t’i ndihmojnë viktimat e identifikuara për të siguruar ndihmë, bazuar në vlerësimin e rrezikut kombëtar”.
Një nga kompanitë e prekura është zinxhiri suedez i ushqimeve Coop.
Ai është detyruar të mbyllë shumicën e 800 dyqaneve të tij më 3 dhe 4 korrik, pasi sulmi ka dëmtuar softuerin e arkës së tij.
Një zinxhir suedez i farmacive, një zinxhir i stacioneve të karburanteve, hekurudha shtetërore dhe transmetuesi publik SVT janë goditur gjithashtu.
Mbikëqyrësi federal i sigurisë kibernetike në Gjermani tha se një ofrues i paidentifikuar i shërbimeve IT, që kujdeset për disa mijëra klientë, është sulmuar. Dy kompani të mëdha holandeze të shërbimeve IT ishin po ashtu në mesin e objektivave.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dënon me burgim një shtetas rus për krime kibernetikeSulmet kibernetike kryhen nga hakerë që hyjnë në rrjete dhe shpërndajnë kode të dëmshme, që bllokojnë të dhënat digjitale të viktimave.
Të dhënat janë të papërdorshme derisa kompania e sulmuar paguan shumën që i kërkohet.
Sulme të profilit të lartë kanë goditur një tubacion energjetik të SHBA-së dhe një përpunues global të mishit, në muajin maj.
Muajin e kaluar, gjatë një takimi në Gjenevë, presidenti Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për bandat e sulmeve kibernetike, që dyshohet se veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.
Biden ka thënë se ka paralajmëruar Putinin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, nëse hetimet përcaktojnë se Qeveria ruse qëndron pas ndonjë sulmi.