Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, tha se ka biseduar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.
Borrell u takua më 20 shtator në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, teksa në qytetin amerikan po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.
Borrell u ka premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor se blloku evropian do t’i ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”.
Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kriza energjetike është përkeqësuar në Evropë, pasi Moska ka ndërprerë furnizimet me gaz përmes gazsjellësit më të madh për në Evropë.
Your browser doesn’t support HTML5
Blloku ka akuzuar Rusinë se po përdor energjinë si “armë”, teksa çmimet botërore të ushqimit po ashtu janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë.
Në takimin në Nju Jork, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Osmani në takim është shprehur se "askush në rajon nuk duhet t'i shërbejë si satelit" Rusisë, me qëllim të "destabilizimit të rajonit".
Nga vendet e rajonit, Serbia refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht se BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që Beogradi ta ndëshkojë Moskën.
Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si arsye shtesë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të zgjidhë sa më shpejt çështjet e hapura, me qëllim që të parandalohen tensionet.
Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Vetë Borrell, gjatë rundit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që u mbajt pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës – tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, “nuk është koha për rritjen e tensioneve, është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme”.
Osmani kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave
Në Nju Jork, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani tha se në takimin në Nju Jork ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.
Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është pjesë e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen. Së fundmi, është thënë se ky proces ka hyrë në fazën vendimtare dhe është paralajmëruar se ekziston një momentum i mirë për të shtyrë këtë çështje përpara.
Vuçiq njofton për “tërheqjen" e një njohjeje për Kosovën
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në takimin me Borrellin, dhe në takimet e Asamblesë së OKB-së, tha se pavarësisht se shteti i tij po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ai ka “një lajm të mirë” për qytetarët e Serbisë.
“Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të thirremi në të drejtën publike ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai përmes një postimi në Instagram.
Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe për ta bllokuar Prishtinën që të anëtarësohet në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar. Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës figurojnë 117 shtete që e kanë njohur Kosovën.