A do ta luftojë Ballkani i Hapur punën "në të zezë"?

Një punëtor pranë një ngarkese me gypa në portin e Durrësit, Shqipëri - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në Maqedoninë e Veriut punëtorët nga vendet nënshkruese të nismës së Ballkanit të Hapur vazhdojnë të punojnë “në të zezë”, pavarësisht se kjo çështje synohet të rregullohet me marrëveshjen për qasje të lirë në tregun e punës, e cila ka hyrë në fuqi më 5 mars.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.

Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, fillimisht duhet të marrin numrin e identifikimit Ballkani i Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre, me të cilin aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy vendet e tjera.

Procedura, siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë në Shkup, zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike dhe zgjat deri në 30 ditë.

SHIKONI EDHE: Qasje e lirë në tregun e punës në kuadër të Ballkanit të Hapur

Por, pavarësisht lehtësirave dhe detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, pronari i një kompanie ndërtimi në rajonin e Strugës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se punëtorët nga jashtë e që kryesisht janë nga Shqipëria, nuk paraqiten në entet e punësimit.

“Me ligj ata duhet të paraqiten, por ligji në praktikë nuk zbatohet. Punëtorët që kemi nga Shqipëria, nuk paraqiten për të marrë leje pune. Nëse ka kontrolle, detyrohemi, por derisa nuk ka kontrolle nuk e marrim këtë përgjegjësi ta bëjmë, domethënë vazhdojnë të punojnë në të zezë. Ka plot nga Shqipëria që punojnë kështu në rajonin e Strugës. Pra, vazhdon avazi i vjetër”, thotë Sh. A, pronar i një kompanie ndërtimi në Strugë, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.

Ai thotë se kompanitë nuk i paraqesin punëtorët për shkak të kostos financiare, por edhe mungesës së ndihmës nga shteti.

“Nuk kemi stabilitet [financiar]. Çfarë më mundëson mua shteti si pronar i kompanisë që të marr makineri me kredi të leverdishme. Me 6 apo 7% kamatë nuk ia vlen t’i blej ato. Shtetit i intereson që t’i marrë lekët, por jo edhe ne. Shteti dëshiron që t’i paraqesim punëtorët që të mund të marrë para nga sigurimet”, thotë pronari i kompanisë së ndërtimit në Strugë.

SHIKONI EDHE: Ballkani i Hapur si mundësi për punëtorët?

Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se marrëveshja për qasje të lirë në tregun e punës është e mirë dhe se bizneset tani nuk mund të arsyetohen me procedurat burokratike që janë thjeshtësuar.

Në rastin e shtetasve maqedonas, pas regjistrimit në faqen e internetit uslugi.gov.mk dhe paraqitjes së kërkesës për lëshimin e numrit identifikues Ballkani i Hapur (OB ID), i cili gjenerohet menjëherë, hapi tjetër është përdorimi i atij numri për të dorëzuar një kërkesë për lëshimin e certifikatës për qasje të lirë në tregun e punës në Serbi në faqen e internetit euprava.gov.rs ose në Shqipëri e-albania.al.

“E mira është se tani kompanitë që kanë angazhuar punëtorë ‘në të zezë’ nga vendet e tjera, nuk do të kenë mundësinë të arsyetohen se për çfarë nuk i kanë punësuar me dokumentacione të rregullta. Tani procedura do të jetë shumë e thjeshtë, aplikimi do të jetë elektronik dhe punëtori brenda 15 ditëve mund të përfundojë gjithë procedurën dhe të përfshihet në procesin e punës sikur edhe shtetasit e vendeve përkatëse”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket asaj nëse ndonjë nga vendet e Ballkanit të Hapur do të përfitojë ose jo më shumë punëtorë, Dimitrov thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo nuk do të jetë shumë e theksuar pasi të tria shtetet janë në nivelin e njëjtë të zhvillimit ekonomik.

“Mundet që disa punëtorë tanë të shkojnë në Serbi nëse gjejnë ndonjë vend të mirë të punës, që paguhet më mirë se këtu. Ndërsa sa i përket punëtorëve të thjeshtë apo atyre pa kualifikime, nuk pres që të ketë ndonjë lëvizje të madhe pasi tri vendet nuk kanë fuqi punëtore dhe nuk kanë asnjë leverdi që të shkojnë në ndonjë vend tjetër për punë”, thotë Dimitrov.

Problemi është se a kemi ne fuqi punëtore me të cilën do t’i plotësojmë nevojat e tregut që na paraqiten në të ardhmen".

Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendet e Ballkanit të Hapur përpara se të arrinin marrëveshje për qasje në tregun e punës, duhej të zgjidhnin problemet në vendet e tyre që kanë të bëjnë me transportin e mallrave.

“Iniciativa është shumë e mirë, por ka edhe shumë gjëra tjera që do të duhet të bëhen që të mund të kemi një rajon funksional. Kjo mua më duket më tepër si nismë për të rregulluar disa probleme sociale e jo për të zgjidhur problemet fundamentale ekonomike. Ne kemi probleme procedurale brenda shteteve tona për të rregulluar çështjet që kanë të bëjnë me marrjen e lejeve për të transportuar mallra në vendet e Ballkanit të Hapur”, konsideron Baush.

Sipas tij, lëvizja e lirë dhe qasja në tregun e punës ka ekzistuar edhe më parë, në veçanti për kuadrot e kualifikuara, ndërsa sa i përket fuqisë punëtore kjo, siç thotë ai, nuk do të ketë ndonjë rezultat pasi të tria shtetet përballen me mungesë të fuqisë punëtore, andaj edhe janë në kërkim të punëtorëve nga vendet e treta.

“Punëtorët e kualifikuar apo që kanë vlerë të shtuar për kompanitë nuk kanë pasur problem për ta zgjidhur çështjen e procedurave. Kompanitë IT nga Beogradi kanë marrë punëtorë pa asnjë problem nga Maqedonia [e Veriut] apo edhe vende tjera. Problemi është se a kemi ne fuqi punëtore me të cilën do t’i plotësojmë nevojat e tregut që na paraqiten në të ardhmen”, shpjegon Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë.

Nisma Ballkani i Hapur, që fillimisht quhej si Mini Shengen, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.