Balerina ukrainase e zhvendosur nga pushtimi rus, shkëlqen në Hungari

Reuters

Ndërsa dritat në Shtëpinë e Operës Shtetërore të Budapestit fiken, një balerinë ukrainase me emrin Hanna Muromtseva fillon të ngjitet në ajër në rolin kryesor të "Liqenit të Mjellmave" të Çajkovskit. Në fund të performancës së saj publiku shpërthen me duartrokitje.

Një varëse me hartën e Ukrainës ia kujton Muromtsevas shtëpinë.

Një vit më parë, kur kërcimtarja 29-vjeçare u largua nga kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, me një tren të mbushur me mijëra njerëz të tjerë pas pushtimit rus, Muromtseva pyeti veten nëse ajo do të dilte përsëri në skenë.

Muromtseva duke u përgatitur për ushtrime në Operën Shtetërore Hungareze në Budapest.

Muromtseva ishte në kulmin e karrierës së saj në Operën Kombëtare të Ukrainës kur lufta rishkroi planet e saj.

Ajo performoi për herë të fundit në Kiev, më 22 shkurt 2022.

Muromtseva duke bërë një pushim gjatë ushtrimeve.

Javën që erdhi, Muromtseva ishte në një tren duke ndarë një vend të vetëm me një mik gjatë një udhëtimi rraskapitës 12-orësh në Ukrainën perëndimore. Me sulmet ajrore ruse që kishin për cak Kievin, ajo gjeti një shofer për nënën dhe gjyshen e saj dhe i bindi të iknin.

Të gjithë u takuan në Lviv dhe udhëtuan për në Belgjikë, të mirëpritur nga një familje ku ajo dikur kishte qëndruar me pushime si fëmijë.

Kur Muromtseva u largua nga shtëpia e saj, ajo mori vetëm një çantë, duke lënë pas këpucët e saj të baletit.

Muromtseva tash mban një palë këpucë të reja baleti.

"Kur u largova nga Kievi, nuk e mendoja se do të vallëzoja përsëri. I thashë lamtumirë karrierës time", tha ajo midis provave për shfaqjen ku interpreton rolin e mjellmës së bardhë eterike, Odette, dhe mjellmës së zezë mashtruese, Odile.

Muromtseva e kishte interpretuar rolin, i konsideruar si një garë për balerinat më të mira, për më shumë se pesë vjet. Kompania e saj në shtëpi udhëtoi jo vetëm në Ukrainë, por edhe në vende tjera deri në Kinë dhe Japoni.

Balerini rus, Boris Zhurilov, dhe balerina Muromtseva duke ndjekur një klasë vallëzimi me mjeshtren Irina Prokofieva.

Muromtseva dhe Zhurilov duke ushtruar rolet e tyre kryesore për Liqenin e Mjellmave.

Pas një dite provash, Muromtseva udhëton me autobus për në shtëpi.

Kthimi në skenë

Interpretimi i rolit kryesor në shfaqjen "Liqeni i Mjellmave" në Operën Shtetërore të Hungarisë ishte një ëndërr pas një viti mbijetimi nga një ditë në tjetrën dhe rindërtimi i vetes si balerinë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht.

Shkallët e zbukuruara në Operën Shtetërore Hungareze në Budapest ku interpretoi Muromtseva.

Muromtseva magjepsi audiencën me performancën e saj pasionante, pothuajse hipnotike.

“Jam e lumtur që po ngjitem sërish në skenë”, tha ajo.

"Është një prodhim krejtësisht i ndryshëm [në Budapest]. Për mua është ndjesia sikur vërtet duhet ta provoj veten. Duhet të jesh shumë fleksibile në kokën tënde, jo në trupin tënd".

Muromtseva duke u përgatitur për dukjen para shfaqjes.

Ajo punon në fokusin e saj mendor çdo ditë, ndërsa del për shëtitje të gjata dhe gëzon shoqërinë e miqve të rinj.

Një rrobaqepëse duke rregulluar kostumin e Muromtsevas në prapaskenë.

Ushtrimet e vështira dhe një orar i ngjeshur gjithashtu e ndihmojnë atë ta tejkalojë mërzinë, por ndonjëherë, kur kthehet në banesën e saj me qira, ajo qan.

Muromtseva duke performuar gjatë një prove skenike në Operën Shtetërore Hungareze.

Muromtseva u regjistrua si refugjate në Gjermani vitin e kaluar, ku asaj iu ofruan këpucë të reja dhe një vend për të ushtruar përpara se të kalonte në audicionin për punën në Operan Shtetërore Hungareze, e cila ka kërcimtarë ukrainas, rusë dhe bjellorusë mes anëtarëve të saj të saj dhe një trupë ndërkombëtare të baletit.

Nëna dhe gjyshja e saj u kthyen në Kiev vitin e kaluar dhe ajo është e lumtur që është pranë tyre në një vend fqinj në rast se kanë nevojë për ndihmë. Nëna e saj planifikon një vizitë për ta parë në "Liqenin e Mjellmave" në fund të marsit, gjë që i jep forcë emocionale.

“Kjo do të thotë shumë për mua, pasi ajo dhe gjyshi kanë qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe në balet”, tha ajo.

Babai i Muromtsevas gjithashtu jeton në Kiev dhe kumbari i saj sapo u plagos nga vija e frontit pas disa muaj luftimesh, tha ajo.

Fragment nga shfaqja "Liqeni i Mjellmave".

Megjithëse Opera Shtetërore Hungareze e ka punësuar atë edhe për vitin tjetër, Muromtseva natyrisht do të donte të kthehej në shtëpi një ditë.

Muromtseva dhe Zhurilov gjatë një prove me veshje për shfaqjen "Liqeni i Mjellmave", në Operën Shtetërore Hungareze në Budapest më 16 mars.

“Po e pres këtë ditë, që një ditë të mund të kërcej sërish në skenën e Kievit, por tani për tani kam një kontratë këtu”.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi