"E kam një fotografi nga llogoret e Klishçijivkas, prej ditëlindjes sime verën e kaluar, dhe dua të bëj një fotografi të re deri në fund të këtij muaji", tha një ushtar i forcave speciale me emër ushtarak Frantsuz – “francezi” – teksa ishte nisur për një takim me njësinë e tij në këtë qytet në rajonin e Donjeckut, një vend i caktuar për luftimet e vijës së parë të frontit.
Ai po e mbronte Klishçijivkan, një qytet të vogël në jugperëndim të Bahmutit, para se ky qytet i rrënuar tashmë të pushtohej nga luftëtarët mercenarë të Wagnerit dhe forcat e tjera ruse në maj, pas shumë muajsh luftime të ashpra.
Pesë javë pasi Ukraina e nisi një kundërofensivë të shumëpritur përgjatë vijës së frontit prej më shumë se 1.000 kilometrash, që shtrihet nga rajoni afër Hersonit në jug e deri në Donbas, dhe rajonin e Harkivit në lindje, ajo tani po i përqendron forcat e saj në rimarrjen e Bahmutit, i cili e ka fituar një status simbolik përtej vlerës së vet strategjike.
SHIKONI EDHE: Kievi sulmohet me dronë rusë për të dytën natë radhaziPas një qetësie njëmujore në fushëbetejë, forcat ukrainase po lëvizin përpara në anët veriore dhe jugore të qytetit, duke u përpjekur ta rrethojnë atë dhe ta shmangin përfshirjen në luftime nëpër rrugët e tij, që mund të rezultojë në humbje të mëdha.
Më 10 korrik, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, deklaroi se forcat ukrainase kishin marrë kontrollin e pjesëve të tokës së lartë pranë Bahmutit dhe po rrethonin forcat ruse duke vëzhguar hyrjet, daljet dhe lëvizjet e armikut në të gjithë qytetin - madje herë pas here duke i vënë në shënjestër ato.
Gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha në një deklaratë në po të njëjtën ditë se forcat ruse në Bahmut ishin "të bllokuara" dhe se qyteti ishte "tani nën kontrollin e zjarrit të Forcave të Mbrojtjes", duke nënkuptuar se të gjitha vendet në Bahmut janë brenda rrezes së gjuajtjes së artilerisë së Kievit.
SHIKONI EDHE: Ukraina goditet nga një valë e re e sulmeve ruseLëvizjet e natës
Luftimet në këtë zonë – të cilat i kanë bllokuar mijëra forca ruse midis përpjekjeve ukrainase edhe në frontet e tjera – janë pothuajse të vazhdueshme, me operacionet ushtarake që po vazhdojnë ditë e natë.
Më 9 korrik, Frantsuz tha se ai dhe anëtarët e tjerë të njësisë së tij kishin zhvilluar misionet përreth Bahmutit për çdo natë radhazi gjatë një jave.
“Detyra jonë është të futemi fshehurazi në zonën gri dhe t’ia prishim ditën rusëve”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar terrenit të pakontrolluar midis pozicioneve ukrainase dhe ruse.
Njësitë e operacioneve speciale si ato të tij po përpiqen t’i gjejnë pikat e dobëta në mbrojtjen ruse, t’i godasin objektivat dhe të kthehen mbrapsht teksa armiku goditet nga artileria e rëndë nga largësia.
Misionet e tyre zakonisht kryhen brenda natës, sepse terreni kryesisht i sheshtë – me miniera të braktisura qymyri, grumbuj skoriesh dhe jo shumë pemë në të – ofron pak mbrojtje.
Ata, gjithashtu, po e ndihmojnë këmbësorinë t’i ruajë pozicionet gjatë natës së parë pasi janë rimarrë në sulme të rrezikshme gjatë ditës përmes terrenit të mbrojtur dhe të minuar që shpesh sulmohet nga helikopterët dhe bombarduesit rusë.
"Ne po e kopjojmë atë që bënë rusët në të kaluarën”, tha Frantsuz, duke shtuar se llogoret pranë Klishçijivkas, të cilat u rimorën nën kontroll nga ushtarët ukrainas, ishin të mbushur me trupat e ushtarëve ukrainas të vrarë gjatë dimrit dhe me trupat e rusëve të vrarë së fundmi.
Goditje simbolike
Ushtarët nuk ishin në gjendje t’i largonin trupat për shkak të të shtënave të vazhdueshme nga forcat ruse, të cilat po përpiqeshin ta rifitonin terrenin që e kanë humbur së fundmi. Për më tepër, ushtarët që tërhiqeshin, shpesh vendosnin granata për ta bërë edhe më të rrezikshme tërheqjen e tyre.
Sipas një infermieri nga Brigada e 5-të sulmuese, i cili përdor emrin ushtarak "Aslan" dhe që fillimisht ishte vendosur në Bahmut dhe më pas në qytetin e afërt Çasiv Jar, numri i viktimave nga pala ukrainase është dukshëm më i ulët tani sesa në betejën vdekjeprurëse për të mbrojtur Bahmutin në dimër dhe pranverë.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithëse rusët kanë ende përparësi në artileri, granatimet ruse me artileri janë dukshëm më të kufizuara dhe më selektive se më parë.
Si rezultat, më pak ushtarë ukrainas të plagosur nga predhat po arrijnë në spitalin fushor ku ai punon.
Në fakt, të dy qytetet Çasiv Jar dhe Ivanijvske, të cilat ndodhen në periferi të Bahmutit, gjithashtu janë bërë rrafsh me tokë. Kostantinivka dhe Kramatorsku, të cilët janë më larg frontit, janë duke u goditur në baza ditore nga raketat dhe bombat ruse – përfshirë një sulm, i cili e goditi një restorant të frekuentuar picerie më 27 qershor, ku u vranë të paktën 13 persona.
Aslani u bë infermier lufte pasi u plagos edhe vetë. Ai është i vendosur për ta vazhduar luftën, por tha se ushtarët që nuk janë larguar dhe kanë luftuar për më shumë se një vit, janë të rraskapitur.
"Është e vështirë të pranosh që gjithçka që e kemi parë, ka ndodhur vërtet", tha ai, duke iu referuar vrasjeve masive të përpjekjeve të gjata dhe të pasuksesshme për ta mbrojtur Bahmutin.
Shumë nga ushtarët që e mbrojtën qytetin tani po marrin pjesë në përpjekjet për ta rimarrë atë. Disa spekulojnë se brigadat e trajnuara nga NATO-ja, do të hyjnë në luftë vetëm pasi fushëbeteja të jetë përgatitur nga trupat tashmë të dislokuara në zonë.
Analistët ushtarakë pohojnë se Rusia nuk i ka përdorur ende strategjitë e veta rezervë për ta shmangur kundërsulmin e Ukrainës. Dhjetëra mijëra ushtarë po e presin çastin e duhur për t’i sulmuar pozicionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Ukraina raporton fitore të vogla në kundërofensivën ndaj rezistencës së fortë ruseRimarrja e Bahmutit mund ta rrezikojë logjistikën ruse dhe të jetë goditje e rëndë simbolike për udhëheqjen e ushtrisë ruse. Ky do të ishte një dëm edhe më i madh pasi lideri i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin – forcat e të cilit ishin vendimtare për marrjen e qytetit nga Rusia dhe i cili kanë qenë kritik i ashpër i ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm – kreu një rebelim jetëshkurtër, mercenarët e të cilit arritën deri në rreth 200 kilometra afër Moskës më 23-24 qershor.
Frantsuz – një veteran i betejës që Moska e shkaktoi në Donbas në vitin 2014, kur Rusia nxiti separatizmin dhe mbështeti grupet kundër Kievit pas rënies së presidentit ukrainas, miqësor ndaj Moskës, Viktor Janukoviq – beson se rimarrja e Bahmutit është e mundur, por do të jetë e vështirë.
“Perëndimi nuk na ka furnizuar me aeroplanë modernë dhe vendimi i SHBA-së për të na dhënë raketa shpërthyese është për të ardhur keq, sepse nuk po na armatos për një operacion të madh ushtarak”, tha ai, duke u bërë jehonë shqetësimeve dhe ankesave të autoriteteve ukrainase, të cilat thonë se ritmi dhe vëllimi i furnizimeve me armë perëndimore po e ngadalëson kundërsulmin.
“Ata dëshirojnë të na shohin neve si një hero të guximshëm dhe të përkryer nga poema greke, por realiteti është se lufta ka të bëjë me vrasjen e sa më shumë armiqve, në çfarëdo mënyre të jetë e mundur", tha ai.
‘Ne duhet të luftojmë’
Disa prej forcave ruse që operojnë aktualisht në rajonin e Bahmutit, iu referohen si Stuhia Z, sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut kërkimor me bazë në SHBA.
Ato janë nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, por njëlloj si disa nga luftëtarët e Wagnerit, thuhet se edhe ata rekrutohen nga burgjet dhe dërgohen në beteja pas stërvitjeve minimale, të joshur nga mundësia për t’u paguar dhe për t’u liruar apo që dënimet e tyre të ulen.
Mbi të gjitha, udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë, i mbështetur nga Kremlini, pretendon se forcat çeçene janë vendosur në zonën e Bahmutit. Në kanalin e tij Telegram, ai publikoi një video në të cilën një burrë i quajtur Apta Alaudinov pretendon se është në mesin e forcave afër Klishçijivkas. Por, një komandant lokal ukrainas, Petro Kuzyk, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se forcat ukrainase nuk janë ndeshur me forcat çeçene.
SHIKONI EDHE: Shefi i Wagnerit i kërkon Moskës që pozicionet në Bahmut t’ua dorëzojë çeçenëveForcat ruse që morën përsipër mbrojtjen e Bahmutit pasi mercenarët e Wagnerit u tërhoqën, sipas Yevhen Chaban, anëtarit të një njësie zbulimi në brigadën Kholodniy Yar, e cila ruan një pjesë të pozicioneve në zonë, kishin moral të ulët dhe organizim të keq.
Ai pohoi se transmetimet e radiove të përgjuara treguan se ushtarët rusë kishin vështirësi me "përkeqësimin e logjistikës dhe ndihmën mjekësore joefikase në fushëbetejë" dhe se "komandantët e tyre përdorin terrorin e brendshëm që ishte karakteristik për trupat e Wagnerit".
Përpara se Rusia të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, Chaban, 30 vjeç, ishte një inxhinier zëri. Ai iu bashkua një njësie të mbrojtjes territoriale në Kiev disa ditë pasi filloi sulmi dhe më vonë u regjistrua në ushtri, pavarësisht këshillës së vëllait të tij të madh, i cili tashmë ka marrë plagë të shumta.
"Ushtritë tona teknikisht nuk kanë shumë dallim, por ne e dimë se për çfarë po luftojmë dhe ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë këtu... Ne duhet të luftojmë dhe rusët le të kthehen nga kanë ardhur – kjo është arsyeja pse ne nuk do të dorëzohemi”, tha Chaban.