Bahmuti nga lart: Rusia e ka bërë pluhur qytetin ukrainas

Tymi ngrihet lart nga djegia e ndërtesave të banimit në Bahmut më 26 prill. Pavarësisht se forcat ruse kanë rritur përdorimin e artilerisë së rëndë dhe sulmeve ajrore, forcat e Kievit vazhdojnë t'i pengojnë ato që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit tashmë të rrënuar.

Peizazh me kratere i një fushe Bahmut.

Serhiy Cherevatiy, zëdhënës i forcave lindore të Ukrainës, tha më 26 prill se forcat ruse kishin sulmuar 324 herë duke përdorur artileri dhe raketa të shumta brenda 24 orëve të fundit.
 

"Rusët po shkatërrojnë ndërtesa në Bahmut për t'i parandaluar ushtarët tanë që t'i përdorin ato si fortifikatë", tha Cherevatiy.

Për nëntë muaj, forcat e Moskës janë përpjekur të kapin qytetin e Donbasit, i cili është bërë simbol i qëndresës së hekurt të Kievit dhe dështimeve ushtarake të Kremlinit.

Grupi mercenar rus, Wagner, ka udhëhequr pjesën më të madhe të përparimit në Bahmut, duke pretenduar më herët në prill se forcat e tij kontrollonin 80 për qind të qytetit. Por kjo u hodh poshtë nga Kievi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua të vazhdojë të mbrojë qytetin.

“Është e pamundur që ne të heqim dorë nga Bahmuti, sepse kjo do të [ndihmojë] zgjerimin e frontit të betejës dhe do t'u japë forcave ruse dhe Wagner-it [grupi mercenar] shans për të kapur më shumë nga tokat tona”, deklaroi Zelensky më 23 prill.

Vlerësohet se mijëra ushtarë nga të dyja palët janë vrarë në të ashtuquajturin "mulli i mishit" në Bahmut. Marrja e kontrollit të qytetit do t'i lejonte Moskës të përqendronte forcat e saj në garnizonet e Ukrainës në perëndim rreth Çasiv Jarit dhe më thellë në rajonin e Donjeckut ku ndodhen qytetet industriale Kramatorsk dhe Slovjansk.

Kievi pranon se forcat e tij kanë paguar një çmim të madh për mbrojtjen e "Fortesës së Bahmutit", një qytet prej  rreth 70.000 banorësh para pushtimit rus.

Analistët besojnë se Bahmuti ka pak vlerë strategjike, por ka fituar rëndësi politike pasi të dyja palët vazhdojnë betejën më të përgjakshme të këmbësorisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
 
 

 

Fotografitë e bëra nga lart zbulojnë shkallën e shkatërrimit nga forcat ruse të qytetit lindor të Ukrainës, Bahmut. Pas disa muaj bombardimesh, pjesa më e madhe e Bahmutit është kthyer në gërmadha që digjen, ndërsa trupat ukrainase nuk e lëshojnë qytetin e rrethuar. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)