Baballarët e quajnë diskriminuese mënyrën e kujdestarisë pas shkurorëzimit

Një baba me fëmijën e tij - Fotografi ilustruese.

Baballarët në Maqedoninë e Veriut ankohen se pas shkurorëzimit u shkelet e drejta për të marrë pjesë aktive në zhvillimin psikofizik të fëmijëve të tyre, pasi e drejta e kujdestarisë në mbi 90 për qind të rasteve u takon nënave.

Sipas ligjeve ekzistuese, baballarët mund t’i takojnë fëmijët e tyre dy herë në muaj nga disa orë. Ata kërkojnë që të aplikohet sistemi i vendeve evropiane ku kujdestaria u ndahet që të dy prindërve.

Branko Bërkoviqit pas shkurorëzimit Qendra për Punë Sociale ia ka caktuar që ta takojë djalin e tij të mitur një orë në çdo dy javë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i indinjuar se nuk arrin të ketë rol aktiv gjatë zhvillimit psikofizik të të birit.

E drejta ime si prind varet nga vullneti apo më mirë thënë, kushtëzimi i ish-bashkëshortes".

Korniza ligjore që rregullon çështjen e kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, është diskriminuese, pasi në njërën anë baballarët i detyron të paguajnë me kohë pagesën e alimentacionit, kurse në anën tjetër ata kanë pak hapësirë për të vendosur rreth kujdesit të fëmijëve të tyre.

“Në bazë të vendimit të parë që mora nga Qendra për Punë Sociale unë si baba mund të takoj djalin një orë brenda dy javëve. Brenda kësaj kohe një fëmijë nuk arrin të ju njohë e jo më të vendoset një raport i shëndoshë prind-fëmijë dhe anasjelltas”, shprehet Bërkoviq.

“Djali im edhe pak do të festoj ditëlindjen e shtatë. Merreni me mend ai nuk e di se ku jetoj unë pasi nuk kam mundur të kaloj as edhe një natë të vetme bashkë, e mos të flasim se ai nuk i njeh gjyshërit, nuk njeh askënd nga familja ime. Më thoni nëse është kjo në rregull? Kuptohet se jam ankuar në gjykatë për këtë, por kërkesa ime mbetet në labirintet e gjykatës, përderisa im bir rritet pa njohur babanë dhe familjarët e tij nga i ati”, thotë Bërkoviq.

Edhe Visari i cili tashmë dy vjet është shkurorëzuar, thotë se mezi arrin t’i takojë dy vajzat e tij pasi në bazë të vendimit që ka marrë nga gjykata, ai ka të drejtë t’i takojë fëmijët e tij dy herë brenda muajit, nga një orë. Ndërsa, për të kaluar një vikend me fëmijët, kjo varet nga vullneti i ish-bashkëshortes.

...në këtë formë siç është ligji, prindi sekondar është vetëm një ‘bankomat'... ".

“E drejta ime si prind varet nga vullneti apo më mirë thënë, kushtëzimi i ish-bashkëshortes. Gjithçka do të ishte ndryshe sikur kujdestaria të na ndahej të dyve në formë të barabartë ashtu siç ndodh në vendet e evropiane. Për gjithçka rreth fëmijëve vendosin bashkërisht prindërit ashtu siç obligohen edhe në aspektin financiar të kontribuojnë që të dy”, tregon ai.

Kërkohet të ndryshohet koncepti i të drejtës së kujdestarisë vetëm te një prind

Atanas Iliev - i cili me vite nuk ka mundur ta takojë vajzën e tij pas shkurorëzimit - si pjesë e iniciativës së prindërve që kërkojnë ndryshimin e ligjit aktual mbi familjen, thotë se ligji aktual favorizon vetëm njërin prind pas shkurorëzimit.

“Thjesht, në këtë formë siç është ligji, prindi sekondar është vetëm një ‘bankomat’, që duhet të paguajë alimentacion prindit që i takon kujdestaria, pa kurrfarë të drejtash për të takuar fëmijën e tij jashtë orarit që i ka përcaktuar Qendra për Punë Sociale. Koncepti i deritashëm i një prindi kryesor, të cilit i jepet plotësisht e drejta e kujdesit ndaj fëmijëve dhe vendosja e një prindi të kontestueshëm që ka kohë të kufizuar në realizimin e së drejtës prindërore kualitative, para së gjithash është e dëmshme për fëmijët, të cilët faktikisht e humbin njërin prind”, deklaron Atanas Iliev.

Megjashi: Fëmijët të mos përdoren si armë në luftën mes partnerëve të shkurorëzuar

Organizatat për të Drejtat e Fëmijëve e mbështesin këtë iniciativë, pasi siç theksojnë, për fat të keq fëmijët keqpërdoren nga të dy prindërit për të dënuar njëri-tjetrin dhe kjo ka pasoja të rënda në zhvillimin emocional të fëmijëve.

Nga Ambasada për Fëmijë “Megjashi” që në fokus ka të drejtat e fëmijëve, theksojnë se kujdestaria e të dy prindërve pas shkurorëzimit është e rëndësishme për shkak të impaktit pozitiv që ka në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Ata rikujtojnë se para pesë vjetësh i janë bashkuar nismës për ndryshimin e Ligjit për familjen, përkatësisht rregullativën ligjore që definon kujdestarinë e fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.

Nga Ministria e Punës Politikë Sociale thonë për REL-in se nuk planifikojnë të iniciojnë ndryshimin e Ligjit për familjen, pasi me vëmendje shqyrtojnë iniciativat e baballarëve që kërkojnë që kujdestaria në formë të barabartë t’u ndahet të dy prindërve pas shkurorëzimit.

Nga ky dikaster thonë se para ligjit të dy prindërit janë të barabartë për sa i përket asaj se kujt do t’i takojë kujdestaria, për çka vendos Qendra për Punë dhe Politike Sociale në bazë të kushteve materiale dhe aspektit psikologjik në interes të fëmijëve.