Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve francezë, për shkak se "veprimet e tyre ishin në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.
Ministria tha më 26 dhjetor se e ka thirrur në takim ambasadorin francez për t’i shprehur atij “një protestë të fuqishme ndaj veprimeve të dy punonjësve të Ambasadës së Francës”.
Ata u urdhëruan të largohen nga vendi brenda 48 orëve.
Parisi nuk ka reaguar menjëherë ndaj këtij vendimi, të cilin nuk dihet se nga çfarë e nxiti.
SHIKONI EDHE: Azerbajxhani akuzon Francën se po nxit një luftë të re rajonaleTensionet mes këtyre dy vendeve janë rritur në vitet e fundit, pasi Franca e ka shtuar mbështetjen për Armeninë fqinje dhe e i ka shpeshtuar kritikat për Bakun.
Në nëntor, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e akuzoi Francën për nxitjen e konfliktit në Kaukaz duke e armatosur Armeninë.
Azerbajxhani dhe Armenia kanë luftuar dy luftëra për rajonin e kontestuar Nagorno-Karabak.
Bakuja e rimori këtë enklavë në shtator pas një ofensive të lehtë kundër separatistëve armenë, të cilët e kishin kontrolluar atë për tri dekada.
Armenia dhe Azerbajxhani kishin thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes mund të nënshkruhej deri në fund të këtij viti, por bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët mes dy ish-republikave sovjetike kanë shënuar pak përparim.
Në nëntor, Aliyev nuk pranoi të ulet në tavolinën e bisedimeve me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, në Spanjë, për shkak të, siç kishte thënë, “qëndrimit të njëanshëm të Francës”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritej t’i ndërmjetësonin bisedimet bashkë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Franca, e cila strehon një diasporë të madhe armene, është akuzuar kohë pas kohe nga Azerbajxhani se ia mban anën Armenisë në konfliktin territorial mes dy vendeve të Kaukazit.