Azerbajxhani dhe armenët etnikë janë pajtuar për një armëpushim të menjëhershëm, në ditën e dytë të luftimeve për territorin e Nagorno-Karabakut, pasi udhëheqja de facto e enklavës së banuar kryesisht me armenë etnikë, pranoi propozimin e misionit paqeruajtës rus dhe u pajtua për bisedime lidhur me “riintegrimin” e territorit brenda Azerbajxhanit.
Ndalja e luftimeve intensive pasoi shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar për zgjerimin e konfliktit, pas përshkallëzimit më vdekjeprurës ushtarak në pothuajse tre vjet.
Koncesioni u arrit disa orë pasi Azerbajxhani sinjalizoi synimin e tij që të vazhdojë operacionet ushtarake të nisura një ditë më herët në Nagorno-Karabak, duke kërkuar dorëzimin e forcave të armenëve etnikë, pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara, fuqitë perëndimore dhe Rusia për t'i ndalur armiqësitë. Si pasojë e armiqësive, dhjetëra persona u vranë në 24 orët e fundit.
Luftimet u tha se janë ndërprerë në orën 13:00, sipas kohës lokale.
SHIKONI EDHE: Azerbajxhani nis operacion “kundër terrorizmit” në Nagorno-KarabakUdhëheqja e armenëve etnikë në territorin që ata e quajnë Artsak – që njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por për dekada të tëra deri më 2020 ishte nën kontrollin e armenëve – raportohet se e ka pranuar propozimin rus.
Kjo udhëheqje, po ashtu, e ka pranuar propozimin nga Bakuja për bisedime për integrimin e rajonit brenda Azerbajxhanit, i cili do të jetë një vendim që besohet se nuk do të pritet mirë nga publiku dhe Qeveria në Armeninë fqinje. Ky shtet e ka shndërruar çështjen e kontrollit të Nagorno-Karabakut në pikën kryesore nacionaliste, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, përderisa ofensiva e fundit azerbajxhanase nxiti edhe protesta kundër Qeverisë armene.
Të dyja palët u pajtuan për bisedime më 21 shtator. Bisedimet pritet të mbahen në qytetin azerbajxhanas, Yevlaks, 265 kilometra në perëndim të Bakusë.
Udhëheqja de facto e Nagorno-Karabakut në Stepankerk tha se “çështjet e ngritura nga pala azerbajxhanase për riintegrimin, garantimin e të drejtave dhe sigurinë për armenët në Nagorno-Karabak, do të diskutohen në takimin midis përfaqësuesve të popullatës lokale armene dhe autoriteteve qendrore të Republikës së Azerbajxhanit.
Edhe Presidenca dhe Ministria e Mbrojtjes azerbajxhanase konfirmuan marrëveshjen e armëpushimit.
Zyra e presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, po ashtu njoftoi për bisedimet për riintegrim.
Arritja e armëpushimit u bë pasi përshkallëzimi në rajonin e shkëputur rriti shqetësimet në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, - të cilin nacionalistët e fajësojnë për humbje gjatë luftës më 2020 – tha se është në dijeni për armëpushimin, por menjëherë distancoi Qeverinë e tij nga kjo marrëveshje.
“Armenia nuk ka marrë pjesë në përpilimin e tekstit të armëpushimit në Nagorno-Karabak nën ndërmjetësimin e paqeruajtësve rusë”, tha Pashinian.
Dy ditët e operacioneve ushtarake të Azerbajxhanit në Karabak
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha mëngjesin e 20 shtatorit se po vazhdonte “me sukses” atë që e ka cilësuar si “operacion kundër terrorizmit”, duke shënjestruar sabotuesit.
Zyra e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, po ashtu lëshoi një deklaratë në të cilën thuhej se ai i ka thënë sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se “masat kundër terrorizmit do të ndalen nëse [forcat në Karabak] i ulin armët”.
Po ashtu, më 21 shtator është caktuar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas shpërthimit të dhunës në Karabak.
Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e rajonit të shkëputur, me luftën e fundit që u zhvillua para tre vjetësh.
“Sekretari i Përgjithshëm [i OKB-së, Antonio Guterres], kërkon që menjëherë të ndalen luftimet, të shtensionohet situata dhe të ketë respektim të rreptë të armëpushimit të arritur më 2020, si dhe të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB-së.
Në orët e vona të 19 shtatorit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte zhvilluar biseda telefonike me liderët e të dyja shteteve.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinken i bëri thirrje presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, që t’i ndalë menjëherë operacionet ushtarake në Nagorno-Karabak, rajon që ndërkombëtarisht njihet si territor i Azerbajxhanit.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Nagorno Karabaku dhe pse po rriten tensionet?Kryediplomati amerikan kërkoi, po ashtu, që Azerbajxhani t’i kthehet dialogut.
Blinken “vuri në dukje gatishmërinë e shprehur nga Aliyev që t’i ndalë veprimet ushtarake, si dhe për një takim ndërmjet përfaqësuesve të Azerbajxhanit me popullatën e Nagorno-Karabakut dhe ai nënvizoi nevojën për një zbatim të menjëhershëm” të këtyre planeve, tha DASH-i.
Ndërkaq, Blinken i tha kryeministrit armen, Nikol Pashinian, se SHBA-ja “mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Armenisë”.
Pas disa javësh përleshjesh të përgjakshme dhe një ditë pasi dërgesa e parë me ndihmë humanitare u lejua të hyjë në zonë, Azerbajxhani nisi përshkallëzimin e madh më 19 shtator në rajonin e shkëputur që veçse është buzë krizës humanitare.
SHIKONI EDHE: Kryqi i Kuq dërgon ndihmë humanitare në KarabakKjo pasi në këtë rajon për nëntë muaj ka pasur bllokim të rrugës, që ka pamundësuar që të dërgohen ndihma humanitare, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bakuja që të lejohen dërgesat e ushqimit dhe të ndihmës tjetër.
Granatimet nisën pak pasi Bakuja fajësoi për dy shpërthime ata që i cilësoi si “grupe armene të sabotatorëve”. Nga shpërthimet u vranë të paktën katër pjesëtarë të personelit ushtarak dhe dy civilë në zonat e Nagorno-Karabakut që janë nën kontrollin e paqeruajtësve rusë.
Paqeruajtësit rusë gjenden në atë zonë që kur u arrit marrëveshja e armëpushimit që u dha fund luftimeve gjashtëjavore më 2020. Azerbajxhani atëbotë rimori shumicën e territorit dhe shtatë qarqe përreth që ishin nën kontrollin e armenëve etnikë – të mbështetur nga Jerevani – që nga vitet ’90.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit kishte deklaruar se synonte që grupet të dorëzohen dhe trupat armene të tërhiqen nga rajoni.
Jerevani është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk ka trupa në Nagorno-Karabak.
- Armenia kërkon nga Putini të veprojë për bllokadën në Nagorno Karabak
- Bllokimi i rrugës kyçe të Nagorno-Karabakut rrit tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
Gjatë ditës së parë të operacionit “janë shkatërruar vetëm caqe legjitime ushtarake”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Ndërkaq Ministria e Jashtme azerbajxhanase tha se paqja në rajon mund të arrihet vetëm me tërheqjen e tërësishme të forcave armene nga territori.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit pretendoi se ka marrë nën kontroll mbi 60 pozicione ushtarake dhe ka shkatërruar 20 makina ushtarake.
Avokati de facto i të drejtave të njeriut në rajonin azerbajxhanas të kontrolluar nga armenët, tha se 32 persona janë vrarë, përfshirë shtatë civilë, dy prej tyre fëmijë, dhe mbi 200 janë plagosur gjatë bombardimeve. Disa vlerësime kanë thënë se numri i viktimave është shumë më i lartë.
Armenët etnikë brenda Nagorno-Karabakut publikuan në rrjetet sociale video dhe thanë se kryeqyteti de facto i rajonit, Stepanakert, ishte nën bombardime.
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se nuk ka forca në Nagorno-Karabak, duke shtuar se ofensiva e Bakusë “shkeli marrëveshjen e armëpushimit përgjatë të gjithë vijës së kontaktit, duke sulmuar me raketa të artilerisë”.
Në mbrëmjen e së martës, turma të zemëruara u mblodhën jashtë ndërtesës së Qeverisë në Jerevan, duke bërë thirrje që Pashinian të japë dorëheqje. Ata u përleshën me policinë.
Protestuesit thanë se janë zemëruar me atë që e cilësuan si dështim të Moskës për ta ndalur Azerbajxhanin. Protestues u mblodhën edhe para ndërtesës së Ambasadës ruse në Jerevan, duke brohoritur slogane antiruse, raportoi TASS.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi operacionin dhe i bëri thirrje Azerbajxhanit t’i ndalë aktivitetet ushtarake në Nagorno-Karabak. Ai tha se Brukseli vazhdon të jetë i përkushtuar në ndërmjetësimin e dialogut, në mënyrë që të arrihet paqja në rajon.
Liderët e SHBA-së dhe ata evropianë qe një kohë të gjatë i bëjnë thirrje Azerbajxhanit që të lehtësojë kalimin transit të ndihmës humanitare për në rajonin e shkëputur, pasi ky rajon po përballet me mungesë të ushqimeve, energjisë dhe ilaçeve.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun, një rajon malor i banuar me shumicë armene, që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit.
Marrëveshja e armëpushimit që u nënshkrua në fund të konflikt të vitit 2020, u cilësua si fitore në Azerbajxhan, por humbjet armene nxitën protesta disamujore në Jerevan, ku u kërkua dorëheqja e Pashinianit.
Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet e afërta kanë qenë nën kontrollin e armenëve etnikë që kur nisi lufta në fund të viteve ’80 – kur Bashkimi Sovjetik nisi të kolapsojë – dhe i hapi rrugë “konfliktit të ngrirë” prej tri dekadash.